E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Duhet të ndahemi njëherë e mirë nga Gërdec-qeveria

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dje ka zhvilluar një takim me gratë e qytetit të Korçës. Duke vlerësuar rolin e gruas si në shoqëri ashtu edhe në politikë, Meta u ka bërë thirrje grave, nënave dhe vajzave korçare t‘i bashkohen LSI-së, për të bërë të mundur realizimin e ëndrrave të familjeve të tyre. Duke kritikuar Berishën, kryetari i LSI-së, Meta, ka theksuar se "nënat dhe gratë shqiptare nuk mund të shpresojnë te Berisha, që premtoi parajsën dhe detyroi shumë nëna që të punonin aty mes predhave në Gërdec dhe të merrnin edhe fëmijët për të bërë normën, ku shumë prej tyre humbën jetën atje". Meta është shprehur se PD-në dhe PS-në i ka zënë paniku, sepse këto forca të vjetra nuk ofrojnë asgjë serioze përveç mashtrimeve pafund që shikoni në spotet e qeverisë "Berisha" dhe në spotet e Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, "miliona euro po harxhohen nga paratë e taksapaguesve të Shqipërisë, apo të Tiranës, për t‘u mbushur mendjen shqiptarëve për sukseset e padiskutueshme që kanë realizuar gjatë gjithë kësaj kohe. Janë spote të neveritshme, që duhet t‘u mbushin mendjen pensionistëve, që gjoja po jetojnë më mirë pas katër vjet qeverisjeje të Sali Berishës".

Më pas, lideri i LSI-së u shpreh se, ne duhet të ndahemi njëherë e mirë nga Gërdec-qeveria, nga morali që ajo përfaqëson, e cila ka si qëllim vetëm fitimet kolosale të Sali Berishës, të familjes së tij dhe të gjithë klanit të tij dhe që ka si pasojë varfërimin e gjithë familjeve shqiptare. Ndaj, u shpreh Meta, "jam i bindur se Korça dhe e gjithë Shqipëria do të japë përgjigjen e duhur më 28 qershor". Duke thumbuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, kreu i LSI-së ka thënë se nuk mund të pajtoheni me hipokrizinë e politikës së re, e cila vetëm gjëra të reja nuk sjell. Nuk është politikë e re, sepse po të ishte e tillë, Rama dhe deputetët e PS-së do i bashkonin votat me LSI-në për të ngritur komision parlamentar për të hetuar tragjedinë e Gërdecit. Por Rama, tha Meta, nuk i dha votat, sepse i prishej "Viti i Mjaltit" me Sali Berishën, pasi kaq zgjati edhe periudha e këtij bashkëpunimi mes lidershipit të PS-së dhe PD-së, që filloi me Gërdec-Kushtetutën, dhe përfundoi me Kodin Zgjedhor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›