PS, si do të përzgjidhen kandidatët
Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, lista e kandidatëve për deputetë fillon të kthehet në qendër të vëmendjes. Partia më e madhe e opozitës ende nuk ka filluar t‘i përcaktojë emrat konkretë që do të vendosen për të garuar. Burimet nga selia rozë sqarojnë se pavarësisht emrave mund të krijohet një tablo e "koshave", nga pritet të tërhiqen këta kandidatë. Burimi i parë është struktura e ngritur prej disa kohësh me emrin bordet e qytetarëve. Në përbërje të këtyre organizmave janë anëtarë të shoqërisë civile, të cilët nuk preferojnë të angazhohen direkt në strukturat e Partisë Socialiste. Nisma e kreut të socialistëve Edi Rama u konkretizua në të gjitha qytetet e mëdha. Në vazhdën e këtij aksioni u krye turi i liderit të opozitës dhe diskutimet për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me shtyllat e programit qeverisës. Personalitetet lokale, të afruara në këtë strukturë, do të jenë një burim i përshtatshëm për të gjetur kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një tjetër "kosh" mund të konsiderohet fondacioni "Qemal Stafa", i cili përmes tryezave me pjesëmarrjen e shoqërisë civile ka afruar një numër të konsiderueshëm figurash me personalitet. Kohë më parë Rama dha vlerësimet e tij për kontributin që këto tryeza do të kenë në qeverisjen e ardhshme të socialistëve. Grupi aktual parlamentar, natyrisht që nuk mund të përjashtohet nga hartimi i listës së kandidatëve. Aktualisht, në këtë strukturë të partisë numërohen rreth 40 deputetë dhe një pjesë e tyre pritet të rikandidojnë sërish. Burimi i fundit, por jo pak i rëndësishëm, janë strukturat lokale të partisë në rrethet e ndryshme të vendit. Krerët e degëve lokale, por edhe aktivistët e devotshëm të selisë rozë, mund t‘i bashkëngjiten listës. Me kalimin e javëve do të mund të fillojë edhe procesi i përzgjedhjes së emrave, me të cilët socialistët do t‘i drejtohen elektoratit shqiptar më 28 qershor. Pak ditë më parë, në një prononcim për gazetën, sekretari për zgjedhjet, Kastriot Islami, zbuloi parimet mbi të cilat pritet të bëhet vlerësimi i kandidaturave. Njëri prej tyre ishte studimi i thelluar dhe shumështresor i profilit të zonave dhe rajoneve zgjedhore. Së dyti, është krijimi i rezervuarit të kandidaturave në një gërshetim ndryshim-eksperiencë-profesionalizëm-integritet-barazi-shansesh. Së treti, është përputhje optimale midis profilit shumëpërmasor dhe rezervuarit të kandidaturave. "Seleksionimi dhe motivimi do të jetë i gjerë, jo vetëm në funksion të Kuvendit të ardhshëm, por të qeverisjes së ardhshme", vlerëson Islami. Së katërti, ai rreshton konsultimet me anëtarët e partisë dhe votuesit, sondazhet, respektimi i rregullave statutore, analiza e vlerave dhe e kontributeve. "Këto parime do të jenë në themel të teknologjisë së seleksionimit", u shpreh Islami. Detyrimi ligjor i partive për të publikuar listat e kandidatëve është periudha e parë e muajit maj, pak kohë para se të fillojë edhe zyrtarisht fushata elektorale. Listat do të depozitohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më tutje nuk do të mund të lëvizin në rreshtimin e tyre. Ato do të bëhen publike dhe mbi bazën e tyre partitë do të ftojnë qytetarët t‘u drejtohen kutive të votimit dhe të bëjnë zgjedhjen.