E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla: Vota e diasporës në 11 maj, historike për Shqipërinë në BE

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Drejtuesi Politik i Diasporës në Partinë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti sot procesin e marrjes së fletëve të votimit nga qytetarët jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një postim në rrjetet sociale Balla tha se “ne e mbajtëm fjalën. Vota jote në këto zgjedhje është historike për ta bërë Shqipërinë tonë anëtare të Bashkimit Europian”.

Balla u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, duke votuar numrin 5 në fletën e votimit.

“Voto 5 në fletën e votimit, me dashuri për Shqipërinë dhe vendosmëri për ta vendosur flamurin kuqezi në oborrin e Bashkimit Evropian”, shkruan Balla.

Rreth 246 mijë shqiptarë jashtë vendit u regjistruan nga janari deri në fillim të muajit mars për të votuar më 11 maj, për herë të parë në historinë e demokracisë dhe zgjedhjeve pluraliste.

Procesi i votimit nga diaspora ka nisur zyrtarisht këtë të martë, me qytetarin e parë që ka marrë fletën e votimit në orën 07:15 të mëngjesit. Votuesi i parë që e mori zarfin nga KQZ  është me banim në Erlangen të Gjermanisë dhe është regjistruar për të votuar në qarkun e Dibrës. /k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›