E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me të rinjtë: Mundësi për rezultat spektakolar në Kamzë, status i ri me pasaportën e BE-së

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim më të rinjtë në Kamzë.

Gjatë fjalës së tij, Rama foli për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përfitimet nga marrja e pasaportës së BE-së. Kreu i qeverisë tha se marrja e pasaportës së BE-së do të jetë një status i ri për shqiptarët.

“Dua t’u them diçka konkrete përtej të gjitha atyre që janë shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, për kombin tonë me hyrjen në BE. Dua t’u them që ajo pasaporta aty është një dokument, që nuk është një dokument tjetër udhëtimi, nuk është një dokument i ri që zëvendëson të vjetrin ose këtë që kemi sot, është diçka krejt tjetër, kjo pasaporta është një status i ri për shqiptarët. Me pasaportën që kemi sot, ne hyjmë në çdo kufi të BE-së nga një korridor tjetër e keni parë. Ne kemi liri lëvizje pa vizë, por nuk kemi liri qëndrimi, ne duhet të lëvizim, nuk mund të rrimë, nuk mund të ndalojmë se nuk jemi qytetarë të BE-së e të Shqipërisë se për BE-në jemi të huaj”, u shpreh Rama.

“Kjo pasaportë të bën të identifikohesh si një nga qytetarët e barabartë të BE-së. Me këtë pasaportë hyn në Francë, Itali, Suedi ke të njëjtat të drejtat që kanë bashkëmoshatarët e tu italianë, gjermanë, suedezë. Sot nëse ju do të shkoni të studioni në BE jeni të huaj dhe duhet të gjeni rrugën, të gjeni një vend përmes kuotave që ka BE për studentët e huaj pastaj keni detyrimin të paguani tarifa komplet të tjera nga ato që paguajnë studentët e BE-së sepse jeni studentë të huaj. Nëse ju duhet një ndihmë mjekësore nuk merrni të njëjtin trajtim si të tjerët se jeni të huaj. Nëse doni të kërkoni një punë juve nuk keni mundësi fare ta kërkoni se nuk keni leje për punë”, nënvizoi Rama.

Rama shtoi se më pasaportën e BE-së “mund të kërkoni punë ku të doni dhe mund të ktheheni prapë”.

“Pa asnjë ekzagjerim BE-ja bëhet njësoj si Shqipëria për secilin nga ne”, tha Rama.

Kreu i qeverisë iu bëri thirrje të rinjve që të votojnë Partinë Socialiste.

“Sikur të keni mundësinë që të merrnin statusin e qytetarëve të BE-së a mund të diskutohet a ‘duhet me shku me votu pastaj kë me votu’. Patjetër që duhet shkuar me votu dhe patjetër duhet votuar për të bërë një shumicë më të madhe seç e kemi sot, siç jemi sot këtu”, tha Rama.

Rama tha se “PS e Kamzës është rritur dhe rinia progresiste e Kamzës pranë nesh është fuqizuar dhe rritur”. Rama tha se në Kamzë kanë të gjitha mundësitë që të marrin një rezultat spektakolar.

“Të gjithë ata shokë dhe shoqe që i keni pranë dhe që kanë ndonjë dyshim, t’i thoni që ky është momenti për të bërë diçka, që është gjëja më e thjeshtë dhe njëkohësisht detyrimi më elementar i dikujt që është një njeri i lirë.  Një njeri të lirë e përcakton ndër të tjera edhe fakti se ka lirinë, por edhe pushtetin që me ndihmën e vet përmes votës të kontribuojë në gjykimin e gjithë popullit se kush duhet të rrijë në qeveri e kush në opozitë. Prandaj besoj unë që në Kamzë ne kemi gjithë mundësinë të marrim një rezultat spektakolar”, tha Rama. /j.p/

1 nga 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›