Balla në Bruksel, bisedime me përfaqësuesit e KE për aplikimin në BE
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Integrimin Europian në Partine Socialiste Taulant Balla gjatë një vizite në Bruksel dhe Strasburg zhvilloi takime me përfaqësues të Komisionit Europian dhe anëtarë të Parlamentit Europian lidhur me mundësinë e paraqitjes së aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Qëllimi i kësaj vizite, sipas deputetit Balla, ishte konsultimi me Komisionin dhe Parlamentin Europian, nëse Shqipëria duhet të aplikojë para ose pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas deputetit, është shumë e rëndësishme të kuptojmë që aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk duhet përdorur si një instrument elektoral. Standardi i zgjedhjeve përbën një detyrim dhe kriter të rëndësishëm për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë."Gjithashtu Bashkimi Europian ka një axhendë shumë të ngjeshur politike për shkak të krizës ekonomike, zgjedhjeve europiane në fillim të muajit Qershor, zgjedhja e Presidentit të ri të Komisionit dhe kolegjit", theksoi deputeti socialist lidhur me mundësinë e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.