E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla për situatën: “Kryeministri Berisha dhe ministri Prifti të japin dorëheqjen”

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, situatën e krijuar në Veri të vendit e ka cilësuar si veprën penale abuzive të kryeministrit Sali Berisha dhe të ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti. Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimet, me qëllim vënien para Drejtësisë të përgjegjësve kryesorë.
Në bazë të konsultimeve me ekspertë hidroteknikë, deputeti Balla ka dalë në përfundimin se liqenet e tri hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme për të mos prodhuar energji, por për t’i zbrazur mbi Shkodër. Kështu që energjinë në muajt e shkuar dhe në vijim, Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia. Sipas Ballës, shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë energjinë e shtrenjtë të importuar nga miku i vjetër i Berishës, Fazlliç, ndërkohë që në Shqipëri mund të prodhohej energji pa problem. Sipas akuzave të deputetit socialist, Balla, qeveria, në këtë situatë tejet të vështirë përmbytjesh, ka nisur shkarkimet nga Fierza më 2 janar, kur niveli kishte arritur 293.2 metra.

Leskaj: “PS-ja do t’i shkojë deri në fund çështjes së situatës në Veri të vendit”

Nga fshati Livade në Shkodër, Partia Socialiste ka konfirmuar se pas kapërcimit të situatës, do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së saj. Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, së bashku me një grup deputetësh të selisë rozë, kanë vizituar banorët e zonave të përmbytura, të cilëve u kanë dhënë dhe një pjesë të fondeve të mbledhura nga llogaritë bankare të hapura nga PS-ja. "Jemi pa dyshim dhe me një ndihmë modeste për njerëzit e përmbytur të kësaj zone. Ajo që vlen për të thënë sot, pa dyshim, është që pasi të mbarojë situata e emergjencës, Partia Socialiste insiston dhe do të vazhdojë të kërkojë nxjerrjen e përgjegjësive, vënien para përgjegjësisë për të gjithë ata që kanë shkaktuar këtë katastrofë, që nuk është një katastrofë që vjen nga Zoti, por që lidhet me veprime të personave, të cilët janë përgjegjës dhe pa dyshim që duhet të shkojë deri lart në qeveri, te kryeministri i vendit, Sali Berisha", - tha Leskaj.

12 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›