E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Qeveria të kompensojë dëmet me lekë në dorë”

TIRANË - Qeveria duhet të kompensojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Veri të vendit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një komunikim për shtyp, ripërsëriti faktin se përmbytjet nuk erdhën nga Zoti, por marrëzia e pushtetit. “Veriun nuk e përmbyti dora e Zotit, po mendja e robit. Veriun e mbyti shkelja e ligjit, rënia e shtetit, marrëzia e pushtetit. Situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, as kur mbi Veri dhe mbi liqenet e hidrocentraleve ka rënë shumë më tepër shi e ka rrjedhur shumë më tepër borë e shkrirë, sepse nuk ka pasur asnjëherë më parë Shqipëria në krye të kësaj pune njerëz që të mbledhin ujin e hidrocentraleve jashtë çdo kufiri logjik e kriteri shkencor për të bërë lekë”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “Sali Berisha nuk mund t’u thotë shkodranëve se KESH-i që i përmbyti do t’u kompensojë çdo qindarkë, po duhet t’u thotë, një orë e më parë, se me ta nuk do të ndodhë si me të shkretët banorë të Gërdecit, ca të nënës e shumë të njerkës, dhe se ai, njeriu që duhet t’ua kishte kursyer këtë shkatërrim duke mos u bërë palë me Priftin e korrupsionit, do të marrë me çdo kusht përsipër t’i kompensojë qindarkë për qindarkë dëmet e tyre”. Sipas Ramës, kryeministri Berisha, çdo ditë e më shumë po e fundos vendin në katastrofa të njëpasnjëshme. “Ashtu sikundër qeveria e votave të vjedhura duhet të nxjerrë, urgjent, lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe s’mund të mbajë frymën gjallë, as duke pritur thesin me miell, që edhe kur vjen shumë shpesh nuk ka ku gatuhet, as duke shitur lopën për 5 ditë bukë. Ky njeri që po e çon vendin nga rrënimi në rrënim, me zjarr në Gërdec, me shembje mali në Kalimash, me përmbytje të paparë në 100 vjet, siç thotë edhe vetë në qarkun e Shkodrës, është kthyer në një farëmbjellës katastrofash”, - u shpreh Rama.

12 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›