Meksi: “Financat për dëmet në Veri, në përpjesëtim të zhdrejtë me deficitin buxhetor”
Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Veri të vendit janë në përpjesëtim të zhdrejtë me deficitin buxhetor të qeverisë në këtë krizë ekonomike. Në këtë situatë të vështirë, deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, deklaroi se të ardhurat buxhetore për muajt tetor-nëntor kanë rënë kundrejt një viti më parë, përkatësisht minus 1,77 dhe 4,74 miliardë lekë. Deputetja Meksi, në këtë situatë të deficitit buxhetor, i ka kërkuar ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, që të bëjë transparente të ardhurat e TVSH-së nga energjia e importit. Ndërkohë, Meksi sqaroi se është OSSH-ja, si kompani private që importon dhe jo qeveria, e cila ka rolin e vet për të kontrolluar këtë ndërmarrje me pozita monopol. Në kuadrin e importit të energjisë, deputetja socialiste rikujtoi se që kur u rrit çmimi i energjisë elektrike, opozita i kërkoi Entit Rregullator të mos lejohej rritja e çmimit nga importet e cilësuara prej saj si të palogjikshme, por të bëhej furnizimi me energji nga prodhimi i vendit, me qëllim që të ruhej edhe niveli i çmimit për konsumatorët.
Situata
Deputetja e PS-së, Meksi, është solidarizuar me situatën problematike të përmbytjeve në zonën e nën Shkodrës, duke kërkuar vënien para Drejtësisë të përgjegjësve kryesorë. “Në këtë situatë ne mendojmë se qeveria nuk mund të mburret ngaqë zyrtarët e saj të lartë mbushin vend e pavend kronikat televizive, apo se ka bërë thirrje për solidaritet njerëzor dhe financiar. Kjo është po ajo propagandë bajate si në tragjedinë shtetërore të Gërdecit, kur qeveria mburrej me veprimet postmortum”, - u shpreh Meksi. Deputetja socialiste, rastin e përmbytjeve apo dhe shumë rasteve të tjera pa fund të qeverisë ua ka rikujtuar qeveritarëve apo dhe mbështetësve të maxhorancës qëndrimin e Presidentit Obama, i cili, pas incidentit të fundit në aeroport, tha: “Nuk jam i interesuar t’i vë fajin dikujt, jam i interesuar të mësojmë nga gabimet dhe t’i korrigjojmë ato për të garantuar sigurinë tonë. Si president unë kam përgjegjësinë solemne për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë, dhe kur sistemi dështon, kjo është përgjegjësia ime”.
Deficiti buxhetor
Deputetja e PS-së, Meksi, paraqiti një ilustrim të deficitit buxhetor të qeverisë “Berisha 2”. Ajo bëri me dije se nga 335 miliardë që u parashikuan në buxhetin fillestar, ka vijuar në 326 miliardë me rishikimin e tetorit, duke u fiksuar në 320 miliardë lekë. Pra, sipas saj, shënohet një rekord në nivelin e deficitit. Meksi tha se deficiti buxhetor nga 4,2 për qind të PPB-së të programuar në fillim, tejkalon nivelin e korrigjuar të tetorit prej 6,3 përqindësh, për të arritur shifrën 7 për qind të PPB-së. Deputetja Meksi deklaroi se qeveria ka programuar në buxhet një shifër, duke e cilësuar si të parealizueshme të ardhurash prej 320 miliardë, ndërkohë kur të ardhurat e 11-mujorit u realizuan vetëm 268 miliardë lekë. “Pra, si mundet që të realizohen në muajin dhjetor 52 miliardë lekë, kur mesatarisht, në 11 muaj janë realizuar 24 miliardë lekë? Apo kur në vitin e kaluar, vit me rritje më e lartë e të ardhurave, të ardhurat e buxhetit për muajin dhjetor (2008) ishin rreth 29 miliardë lekë, ose gati dy herë më pak, sepse mosrealizimi do të shoqëroj edhe këtë vendim të tretë të qeverisë për buxhetin”, - tha Meksi. Në kuadrin e situatës, deputetja socialiste ka kërkuar rishikimin e buxhetit të vitit 2010, në mënyrë që vendi, sipas saj, mos të shkasë në katastrofën e pakthyeshme të borxheve që vijnë nga shpenzimet e papërballueshme në kushtet kur vendi po ballafaqohet me këtë nivel të ardhurash që po ulet vazhdimisht.
Shkodër, Doshi: “Qeveritarët të marrin masa me ushqime për komunën e Dajçit”
Deputeti i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, duke parë situatën në komunën e Dajçit, u bëri dje apel qeveritarëve të mos flasin nga zyrat e Shtabit, por të ballafaqohen me njerëzit në këtë komunë. I gjendur mes banorëve të Dajçit, deputeti socialist ka parë vetë sasinë e pakët të ushqimeve të dhëna nga qeveria për këta banorë. Banorët e kësaj komune, një prej më të përmbyturave, shprehen se ndihma është tejet e vogël nga strukturat e qeverisë, madje qesharake. “Kjo është sasia e ushqimit që ka sjellë Shtabi i Emergjencës në Dajç. Kemi 9 ditë nën ujë. Sot na kanë sjellë 80 gramë vaj, 200 gramë sheqer, 450 gramë makarona për familje. Këtu vijnë me hap panik për të ikur ne. I gjithë populli është në ujë, bagëtitë. Këtu ka njerëz që nuk kanë bukë me të hanë te shtëpitë”, - u shpreh një banor i kësaj komune.
12 Janar 2010