Topi thërret në takim Priftin: “Të normalizohet sa më parë situata në zonat e përmbytura”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim pune me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Takimi i punës u mbajt në serinë e disa takimeve dhe konsultimeve intensive që kreu i shtetit po zhvillon me drejtues institucionesh, ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike dhe u fokusua në situatën e përmbytjeve në veriperëndim të vendit, të shkaktuar nga reshjet dhe nga derdhjet e kontrolluara të ujërave të liqeneve në kaskadën e lumit Drin.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Prifti, e informoi në mënyrë të detajuar Presidentin Topi për gjendjen e tri ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, si dhe me monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit, prurjeve dhe shkarkimeve e kontrolluara nga specialistët dhe ekspertët hidrikë, duke e siguruar kreun e shtetit se situata është drejt përmirësimit. Presidenti Topi, pasi u njoh me hollësi rreth situatës më të fundit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe frymës së solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum duke iu rikthyer normalitetit.
12 Janar 2010