E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmi në Shkodër, 200 milionë euro, qeveria ka vetëm 17 milionë

Dëmet e përmbytjeve në Shkodër kanë përmbytur financiarisht edhe buxhetin e shtetit. Ekspertët vlerësojnë se dëmi i shkaktuar në qarkun verior përllogaritet në rreth 200 milionë euro, ndërkohë që fondi i kontingjencës që është planifikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2010 është vetëm 2.3 miliardë lekë, ose në rreth 17 milionë euro. Kriza ekonomike, por edhe keqmenaxhimi i fondeve publike kanë bërë që ky fond të zvogëlohet disa herë krahasuar me vitin 2009, dhe kjo për shkak të mbulimit të deficitit buxhetor, i cili është rritur nga viti në vit. Edhe sikur dëmet të ishin dy apo tre herë më të vogla sesa shuma që deklarojnë ekspertët, kostoja e përmbytjes është një barrë e papërballueshme nga qeveria shqiptare.

Dëmet
Dëmet në qarkun e Shkodrës, por edhe në zonat e tjera të Veriut, mund të shkojnë deri në 200 milionë euro. Kjo shifër është dhënë nga ekspertët, të cilët kanë bërë një vlerësim paraprak të pasojave të shkaktuara nga përmbytjet. Sipas statistikave zyrtare, deri ditën e djeshme janë përmbytur mbi 10400 hektarë tokë dhe 2500 shtëpi. Pjesa më e madhe e banesave do të duhet që të shpenzojnë të paktën 20-30 për qind të vlerës së tyre për rikonstruksion dhe kthimin në mjedise të banueshme. Të paktën 25 milionë euro do të shkojnë vetëm për ristrukturim, pa llogaritur shtëpi apo komplekse biznesi, të cilat mund të dalin tërësisht jashtë funksionit. Po ashtu, pjesa më e madhe e shtëpive kanë dëme në pajisjet elektroshtëpiake dhe orenditë e ndryshme. Një tjetër kosto e madhe në bilancin e dëmeve është edhe shkatërrimi i infrastrukturës së zonës. Prishja e sistemeve të kanalizimeve, rrugëve, ujësjellësve, rrjeteve të energjisë, apo telefonisë, zë peshë të rëndësishme për buxhetin e shtetit. Ministrisë së Bujqësisë do t’i duhet që të ndërhyjë në të gjithë sistemin e argjinaturave të shtretërve të lumenjve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, për të cilën do të duhet të investojë edhe miliona euro të tjera në mënyrë që kjo situatë të mos përmbytet më. Ekspertët pohojnë se shkatërrimi më i madh që i është bërë sipërfaqeve të përmbytura është dëmtimi i strukturës së tokës nga koha e gjatë e qëndrimit nën ujë, e cila mund të sjellë edhe fundosjen e banesave. “Kemi një tkurrje, një bymim, një zmadhim të poreve të tokës; një ndryshim të peshës vëllimore të saj. Po ashtu, mund të ketë edhe ndryshim të densitetit të tokës”, - thotë profesor Vangjo Kovaçi, në Departamentin e Gjeoshkencës. Sipas tij, “këto vërshime uji vijnë nga zona mineral-mbajtëse, me elemente nga më të ndryshmet, përfshirë edhe ato ndotëse”. Aktiviteti mikrobiologjik do të rrezikohet gati plotësisht”, - u shpreh Kovaci. Ekspertët bëjnë apel që të gjithë specialistët të hartojnë plane masash për rehabilitimin e tokës, menjëherë sapo uji të largohet.
Në morinë e dëmeve janë edhe të mbjellat që tashmë janë shkatërruar tërësisht, apo plantacionet frutore të kësaj zone, e cila përllogaritet që zë deri në 10 për qind të tregut në vendin tonë. Pra, kostoja financiare në këtë rast është shumë e madhe dhe e vështirë për t’u përllogaritur. Atë e dinë vetëm ata që do ta paguajnë.

Kostoja e emergjencës
Edhe trajtimi i personave të evakuuar në qendrat e ngritura nga qeveria, si kampingje, hotele private apo reparte ushtarake, ka koston e saj. Të paktën 10 euro në ditë për person është shuma që do të duhet të harxhojë qeveria. Në një përllogaritje të thjeshtë, për një ditë janë 50 mijë euro; dhe përgjatë 10 ditëve të para, shpenzimet kanë shkuar mbi 500 mijë euro. Shuma do të rritet edhe në varësi zgjatjes së gjendjes së emergjencës dhe rikthimin e zonave të përshtatshme për banim. Kostoja e kësaj katastrofe rritet më tepër po të llogarisësh shpenzimet në operacionet e forcave ushtarake, policore dhe strukturat e pushtetit vendor. Sipas specialistëve, rikthimi në normalitet në zonat e përmbytura do të kërkojë të paktën 2 deri në tre vjet.

Paratë e qeverisë
Qeveria shqiptare ka llogaritur në buxhetin e shtetit për vitin 2010 një fond kontingjence prej 5 miliardë lekësh, ku 2.7 janë planifikuar që në dhjetor për të kaluar në mbulimin e deficitit buxhetor. Pra, nëse marrim vetëm shumën që qeveria ka planifikuar për emergjencat, ajo është vetëm 2.3 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro. Qeveria shqiptare ka rrudhur nga viti në vit, në mënyrë krejt të pajustifikuar, fondet e kontingjencës. Në vitin që sapo lamë pas ishte parashikuar një fond prej 20 miliardë lekësh për raste fatkeqësish, ku vetëm 15 miliardë janë harxhuar dhe pjesa tjetër shkoi për mbulimin e deficitit buxhetor. Pra, fondet që ka qeveria në dispozicion janë tërësisht të pamjaftueshme. Situata financiare e buxhetit të shtetit rëndohet më tej, kur përllogarit një mungesë fondesh të parealizuara gjatë vitit 2009 në shumën prej 30 miliardë lekësh nga të ardhurat fiskale. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të krizës ekonomike, apo heqjes dhe zvogëlimit të një sërë taksash doganore për shkak të politikave të liberalizimit të import-eksporteve me vendet e BE-së. Duke llogaritur edhe gjendjen ekonomike për vitin 2010, qeverisë do t’i duhet që të arkëtojë të paktën 60 miliardë lekë më shumë që situata të normalizohet, pa përfshirë këtu kostot që do të dalin nga përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

KOSTOT E DËMEVE

1- Banesat dhe komplekset e përmbytura nga uji (shtëpi, biznese qendra, shkolla)
2- Shkatërrimi i infrastrukturës (rrugë, kanalizime, rrjetet e ujit, energjisë, telefonisë argjinatura etj.)
3- Rrënimi i bujqësisë dhe blegtorisë (fermat dhe vreshtat)
4- Operacionet e emergjencës (Ushtria, Policia, pushteti vendor etj.)
5- Trajtimi i personave të zhvendosur në qendrat e strehimit
6- Rikthimi i gjithë zonës në gjendjen e mëparshme

I - STATISTIKAT SIPAS DITËVE
Tokë e përmbytur Shtëpi të përmbytura

E hënë, ora 14:00
10 400 ha 2499 shtëpi
E diel, ora 22:00
10 400 ha 2499 shtëpi
E shtunë – Ora 18:00
10 000 ha 2405 shtëpi
E premte – Ora 22:00
E enjte - Ora 19:00
9150 ha 3407 persona 2080 shtëpi
E mërkurë - Ora 19:00
4816 ha tokë 870 shtëpi

Ministri i Financave: Do të përballojmë çdo nevojë të zonës

SHKODËR – Ministri i Financave, si edhe në rastet e tjera, është treguar i matur kur ka diskutuar për dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur. Në takimin që ka zhvilluar në rrethin e Shkodrës ai ka garantuar vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Ministri i Financave theksoi se Shtabi i Emergjencës ka miratuar fondet e nevojshme dhe gjithashtu janë ngritur të gjitha strukturat për shpërndarjen e bazës ushqimore edhe në zonat ku njerëzit vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Ai u shpreh se me ngritjen e një fondi operacional, qeveria do të plotësojë çdo ditë të gjitha nevojat, jo vetëm për banorët, por edhe për bagëtinë në këto zona pasi ky izolim mund të zgjasë edhe ditë të tjera. “Bode ritheksoi edhe njëherë faktin se qeveria shqiptare do të përballojë çdo nevojë që kanë këto zona, për të siguruar funksionimin normal, brenda këtij normaliteti, si për njerëzit, ashtu dhe për bagëtinë”, - thonë burimet zyrtare të Ministrisë së Financave. Kreu i Financave siguroi do të bëhet vlerësimi i çdo dëmi të shkaktuar nga përmbytjet. Ndërkohë, kryeministri Berisha ka premtuar kompensim në çdo qindarkë për të gjitha pasojat e shkaktuara nga përmbytjet. Të njëjtën gjë deklaroi edhe kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë inspektimit që iu bëri zonave të përmbytura disa ditë më parë.

12 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›