Ballagat, miratohet kërkesa e PD-PS për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar komune
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje kërkesën e dy subjekteve kryesore politike në vend: Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për regjistrimin e tyre si subjekte zgjedhore, pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune në Ballagat të Qarkut të Fierit. Zgjedhjet në këtë komunë janë dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për t’u zhvilluar më 2 gusht, pas shkarkimit nga detyra të kryekomunarit të mëparshëm për shpërdorim detyre. Votuesit e komunës së Ballagatit në rrethin e Lushnjës pas pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do t’u duhet të shkojnë sërish përpara kutive të votimit më 2 gusht. Shkaku i rivotimit për kryetar komune në Ballagat rrjedh që prej shkurtit të 2007-s, nga zgjedhjet e së cilës doli fitues Fatos Sharka. Ai ndiqet penalisht për shpërdorim detyre dhe dënohet për këtë vepër penale me 2 muaj burgim dhe 300 000 lekë gjobë. Qeveria me një vendim të marrë në fund të vitit 2008 (dhjetor) vendosi shkarkimin nga detyra e kryetarit të komunës së Ballagatit. Marrja e këtij vendimi u propozua nga ministri i Brendshëm një muaj më parë.
7 Korrik 2009