KQZ miraton rezultatin e Beratit pa kutinë e votimit të KZAZ-së Nr. 2
KQZ është përfshirë pasditen e djeshme në debate lidhur me KZAZ-në Nr. 2 të qarkut të Beratit. Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve të votimit në Berat, me gjithë kundërshtimet e ashpra të socialistëve. Tabela përmbledhëse është miratuar për 129 qendra votimi nga 130 gjithsej të Beratit. Kjo pasi KZAZ-ja Nr. 2 e qarkut të Beratit e ka shpallur një qendër votimi të pavlefshme. Partia Socialiste ka kundërshtuar dhe ka deklaruar se kutia nuk mund të shpallet e pavlefshme pasi është marrë në dorëzim dhe është numëruar. Në këto kushte ata kërkuan që rezultatet e kësaj qendre t’i bashkëngjiten tabelës së 129 qendrave dhe tabela përfundimtare të kalojë për miratim. Kjo kërkesë u kundërshtua nga anëtarë të Partisë Demokratike në KQZ si dhe nga kryetari Arben Ristani, të cilët kanë pretenduar se shpallja e kësaj kutie është e ligjshme. Ristani u tha socialistëve të ankimojnë vendimin e sotëm.
7 Korrik 2009