Balli Kombëtar: Të apelohet Kushtetuesja për "Dosjet"

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Kryetari i Ballit
Kombëtar, Adriatik Alimadhi, përmes një dekarate për shtyp, pohoi se mbështet
kërkesën e mazhorancës për apelimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për
hapjen e dosjeve. Alimadhi kërkon më tej nga mazhoranca që të ndërmarrë nisma
ligjore për ndëshkimin e krimeve të komunizmit. Duke kërkuar vëmendjen e presidentit
në këtë moment të rëndësishëm në prag të mbarimit të mandatit të disa anëtarëve
të Gjykatës Kushtetuese, Alimadhi e ftoi kreun e shtetit që të jetë i
kujdesshëm në përzgjedhjen e anëtarëve
të rinj.
E ftoj mazhorancën të jetë e fortë në
përpjekjen e saj demokratike për të zbardhur krimet e komunizmit, të atij
regjimi, i cili punoi vetëm për shkatërrimin e moralit të shoqërisë shqiptare. Ne
jemi të sigurt se hapja e dosjeve fakton krimet, torturat, pushkatimet e atyre,
që dje pushkatuan shqiptarët e pafajshëm dhe sot janë në majat më të larta të
drejtësisë shqiptare. Ka ardhur koha për të kërkuar drejtësi njëherë e mirë për
ata që në mënyrën më çnjerëzore morën jetën e mijëra shqiptarëve, apo e
tjetërsuan atë në një vuajtje gjysëm shekullore nëpër burgjet më të egra të
bllokut komunist, tha Alimadhi.
Duke shtuar në fund se Balli Kombëtar kërkon
nga mazhoranca të ndërmarrë nisma ligjore për ndëshkimin e krimeve të
komunizmit.
Duhet të hapen dosjet e mbyllura dhe të
rishikohen objektivisht të gjitha proceset politike të kaluara, nga gushti i
vitit 1943 e në vazhdim, të ndëshkohen dhe të marrin dënimin e merituar të
gjithë ata që shkelën ligjet e atëhershme dhe nëpërkëmbën të drejtat elementare
të njeriut në hetuesi, gjykatë dhe prokurori. Të bëhet spastrimi i
administratës nga individë që cënojnë rëndë imazhin e shoqërisë, të cilët kanë
akoma një urrejtje për ish-kulakët, për ish-pronarët, për ish-zogistë, për ish-ballistët,
për ish-borgjezët dhe për të gjithë shtresën e të burgosurve politikë, përfundon
deklarata e Ballit Kombëtar.
n.e/NOA