Balliu: Pas “Zonjës së Zezë, Nexhmije Hoxha”, romani “Panteoni i Zi” i njeh francezët me diktaturën në dhomën e gjumit të Bllokut komunist
Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Fahri Balliu, në një intervistë të gjatë, flet jo vetëm për suksesin e publikimit të romanit të tij në frëngjisht, por edhe për metastazat e komunizmit në politikën moderne, si dhe për rolin që po kërkon të luajë luajë Edi Rama në restaurimin e brezit të dytë të nomenklaturës
Romani juaj “Panteoni i Zi”, sapo është publikuar në frëngjisht nga një shtëpi botuese prestigjioze si “Favre”. Më herët, në frëngjisht ka dalë edhe monografia juaj “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Sa e rëndësishme është për një shkrimtar publikimi në një gjuhë të madhe perëndimore? Është e njëjta rëndësi edhe për një shkrimtar të një kombi të vogël si shqiptarët?
Jo vetëm është e rëndësishme, në planin publik të çështjes, por në mënyrë personale në karrierën e një shkrimtari, i çdo vendi qoftë, botimi i librit në Paris, letërsi, publicistikë apo çfarëdoqoftë, është një sukses i madh i karrierës. Më herët kjo ka qenë një ëndërr e rinisë time letrare, dhe ajo daton shumë e shumë vjet përpara. Unë e kam botuar librin e parë me tregime qëkur isha maturant dhe atë kohë e më pas, ëndrra e çdo letrari të ri, ishte modeli i Kadaresë, i cili kishte shkrepur me një talent vezullues në hartën e botimeve të Perëndimit, sidomos në ato frankofone. Për hir të së vërtetës, botimi në frëngjisht i një vepre - në Paris apo në të gjitha kryeqytetet e tjera frankofone - është një çertifikim i lartë vlerash. Të gjithë shkrimtarët në botë, edhe më të mëdhenj, që mund të vijnë nga gjuha hispanike, angleze apo japoneze, botimin në frëngjisht e kanë pikën më të lartë, pas botimit në atdheun e tyre. Pra, unë e kam pasur këtë ëndërr që 17-18 vjeç, dhe kaluan rreth 34 vjet... Pra një jetë e tërë. Shtëpia botuese franko-zvicerane “Favre” dhe botuesi i saj Pierre-Marcel Favre, janë për mua diçka e shtrenjtë tashmë. Janë vërtet miku më i ri, por janë një majë e arritur dhe kanë një çmim shumë të thellë ndjenjash dhe mirënjohjeje.
Kë do dojë të falenderoje për mundësimin e këtij suksesi?
Në planin praktik të botimit të “Zonjës së zezë Nexhmije Hoxha” dhe “Panteonit të Zi” në frëngjisht, do i rishprehja një falenderim të thellë gjeniut të letrave shqipe, mikut tim të vjetër që nga koha e rinisë letrare, Ismail Kadaresë. Ai ka bërë rekomandimet e duhura dhe shkroi parathënien e “Zonjës së zezë...”. Ai, me shumë shpirtmadhësi dhe me një ndjenjë të madhe përgjegjësie, për të bërë të njohur në Francë vlera të tjera të autorëve shqiptarë, jo vetëm nuk u kursye, por do të thosha se u angazhua sa për një vepër të tijën. Por, nuk mund të mos kujtoj sot dhe t’i shpreh mirënjohjen dhe falenderimin shkrimtarit të shquar, njeriut më fisnik që kam njohur në jetë, Dhimitër Xhuvanit, i cili kur unë isha ende një gjimnazist i vitit të dytë, më botoi tregimin e parë, me një prezantim emocionues, profesional, dhe paralajmëroi se me atë tregim “po vinte një shkrimtar i ri në prozën shqipe”. Data 11 majt 1975, kur ai më botoi tregimin “Ora e florinjtë”, i cili mori edhe çmim kombëtar, përcaktoi përfundimisht rrugën time të jetës, që do të tejshkonte dhe vazhdonte përmes adhurimit të letërsisë, për ta bërë këtë fushë, shtratin e prehjes së shpirtit, për ta bërë atë vendin e lindjes së ëndrrave për trofe moralë, trofe vetëm në art, në kulturë e në letërsi. Këto momente janë ato qëer bëjnë ose e zhbëjnë njeriun, janë ato që quhen rrugët e fatit dhe Xhuvani në këtë rast m’i vendosi përfundimisht velat në këtë drejtim, prej nga, për mua personalisht, ka dalë një jetë e bukur. Në rrugën si shkrimtar, prozator, tregimtar, dramaturg, në përplasjet dhe tollovitë për të vënë në skenë dramën “Tokë e Ndezur” apo për të botuar romanin e refuzuar “Arkitekti”, do t’i shprehja një falenderim mikut që nuk jeton më, Vath Koreshit, njeriu, nën mantelin e të cilit, kanë dalë breza të tërë poetësh dhe shkrimtarësh, për shkak se ai drejtonte rubrikat letrare të fuqishme të kohës, dhe më pas redaksinë e skenarit në Kinostudio. Ka qenë gjithnjë një mik dhe koleg i dashur, Teodor Laço, dhe ka qenë një magji informacioni e këshillash raporti miqësor me prozatorin e shquar Petro Markon, edhe pse marrëdhënia ime me të në ndonjë botim është censuruar, për arsye që unë do t’i shkruaj një ditë.
“Panteoni i Zi” vlerësohet nga botuesi juaj francez si një metaforë e shkëlqyer që i paraqet lexuesit perëndimor komunizmin dhe mekanizmat që përdorte ai për tjetërsimin e njerëzve. A mund ta konsiderojmë këtë metaforë si një vazhdimësi apo enë komunikuese edhe me best-sellerin “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”?
Padyshim që po. Megjithëse “Panteoni i Zi” është shkruar rreth viteve 1992-1993, brenda, për ta shpjeguar politikisht Panteonin, kishte një dossier politik, i cili do të botohej më vonë, e që ishte “Zonja e Zezë...”. Unë e kam nisur jetën në Tiranë, si një shkrimtar shumë i ri, dhe pa ndonjë pikëpyetje për sistemin komunist të kohës. Por në rrugë e sipër, shkrimtari, brenda të cilit është edhe gazetari, filloi të përplaset me gjembat e diktaturës, dhe herë pas herë, për to, kishte keqkuptime, iluzione, acarime, por inteligjencia dhe talenti, janë të afta që të fillojnë e të zhbirilojnë. Dhe krejt në mënyrë të natyrashme, njeriu fillon e hyn në kërkim të së vërtetës. Natyrisht ngjarje të rënda familjare, ndonjë burgosje, ndonjë konflikt politik i mirëfilltë, në rrethin familjar, shoqëror, farefisnor, janë ato që fillojnë dhe i japin drejtimin kursit të zbulimit të së vërtetës. Dhe në qoftë se deri në vitin 1985, masa e ndryshimit dhe e pikëpyetjeve të një shkrimtari që vjen nga provinca, dhe ka mbështetje vetëm talentin e tij, shfaqet vetëm me protestën e fjalëve, kritikën, përbuzjen, neverinë, anekdotat për sistemin,për persona apo ngjarje të veçanta, pas këtij viti, dyshimet u kthyen në teza. Por gjithsesi, sekretet e politikës shqiptare, të një diktature që edhe sot është e paeksploruar janë të tilla që mund të të bëjnë që të shpresosh në një ndryshim dhe kjo erë fryu në muajt e parë të pushtetit të Ramiz Alisë, pas vdekjes së Hoxhës. Por qe aq e shkurtër, saqë shërbeu për të kuptuar dhe lexuar se Ramizi ishte një Enver që s’ia mbante të vriste, dukshëm dhe me plenume. Ndërsa, ndryshe, i ka bërë të gjitha që ka bërë Enver Hoxha. I përfshirë edhe në luftën brenda oborrit diktatorial, mua ma tërhoqi vëmendjen si shkrimtar, jeta e brendshme e këtyre njerëzve; e fëmijëve të tyre, nuseve, dhëndurrëve, konflikteve, intrigave... Atëhere, Tiranën e kishte mbuluar jeta e sojsëzëve të Bllokut, që hanin, pinin, visheshin, ushqeheshin, dilnin jashtë, dhe megjithëse konsumonin 90 përqind të proteinave të vendit, jo vetëm që nuk nxirrnin dot një talent, një njeri me vlerë në një fushë, por veç fallsifikonin, gënjenin, mashtronin, dhe ishin të përfshirë në një banalitet e mediokritet intelektual, i cili e ngacmon shkrimtarin në plagë. Që nga viti 44-90, me përjashtim të Bashkim Shehut, i cili bëri një përpjekje dhe u individualizua në fushën e letërsisë, absolutisht asnjë pinjoll prej kësaj nomenklature, nuk mundi të shfaqte vlera të veçanta, por u mbetej që ta shpalosnin veten nëpërmjet peshës politike të Familjes, duke e paraqitur atë si vlerë... Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur aty vlera. E kundërta, kush hyri aty nga jashtë, në vlerë u shkatërrua dhe u degradua. Kjo ka qenë zanafilla, me pak fjalë e indicies për një subjekt romani... Dhe të themi të drejtën, ky është romani i parë dhe i vetëm, i shkruar shumë shpejt pas rënies së diktaturës, është printuar e shitur në më shumë se 6-7 edicione në Shqipëri, por ambienti i Bllokut, të rrethuar me ushtarë, policë, shërbim sekret, me rregulla të shkruara e të pashkruara, të frikshme, është një oborr obskurant, kriminal, tragjik, saqë do të thosha se edhe 3 shekspirë do ta kishin të vështirë t’i dilnin në qosh. Në qoftë se tek “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” u dha diktatura komuniste mbi kombin, mbi shoqërinë shqiptare, tek “Panteoni i Zi” përmes konceptimit estetik të jetës dhe ligjeve të letërsisë, është dhënë diktatura në dhomën e gjumit.
Historia e ish-Bllokut komunist, gjithsesi nuk mund të quhet e përfunduar dhe e treguar apo jo? Cila është përmasa aktuale e këtij Blloku? Si mund t’i lexojmë metastazat e tij në politikën e sotme të Shqipërisë?
Kjo është drama e re e Shqipërisë. Metastazat e Bllokut janë të fuqishme, janë financiare, dhe pastaj ekonomike e mediatike, dhe për fat të keq, është shumë e trishtueshme që shoqëria shqiptare nuk ia doli që ta gjykojë këtë Bllok. Jo për të përsëritur vrasjet dhe pogromet komuniste, por për ta demaskuar, për ta informuar shoqërinë shqiptare se ç’përfaqësonte ky Bllok komunist, kush ishin Enver Hoxha dhe Nexhmija, cili është raporti i tyre me popullin e vet, me kombin... Por mbi të gjitha, filozofia e tyre në interes të kujt ishte, ku synonte dhe çfarë shkaktoi? Natyrisht, një pjesë e gjërave janë thënë, por ka një çoroditje shumë të madhe dhe për fat të keq, ka një rimarrje të iniciativës nga metastazat e Bllokut, veçanërisht në media, të cilat në mënyrë të qëllimshme - e jo nga padija - i aktivizojnë tezat dhe filozofinë themelore të Hoxhës, filozofi që synonte degradimin e faktorit shqiptar në Ballkan, dhe më tej goditjen dhe asgjësimin e tij. Sot kemi të njëjtën gjë, kemi një segment mediatik të përfshirë nga kanceri i së shkuarës, i cili përpiqet ta denigrojë përparimin kombëtar të shoqërisë shqiptare. Të maskuar pas tifozllëkut të partive, një pjesë e madhe e shërbëtorëve dhe konkubinave hoxhiste në media, e kanë zëvendësuar imperializmin e dikurshëm amerikan dhe vrasjen e mendjeve perëndimore shqiptare me Sali Berishën apo me gjithë ata individë e struktura, të cilat e duan çiltërsisht orientimin perëndimor të vendit, kthimin e tij në gjirin prej nga e shkëputi Enveri. Sigurisht, sot ka teori dhe teza të cilat përpiqen të mos u dallohet lidhja dhe sponsorizimi financiar nga katedra dhe ajri i pazbuluar i pagesave të Hoxhës. Por, e gjithë kjo vepron si struci, pasi gjithçka zhvillohet jo thjesht në syrin e Zotit. Ajo po e po, por ka shumë sy, dhe pavarësisht se mund të tundesh nën flamuj të rinovuar, nuk je asnjë hap larg Enver Hoxhës, që me vesin dhe me filozofinë e tij e vrau këtë komb në qelizat e njeriut shqiptar. Në këtë segment ka edhe të guximshëm. Ka media që e shprehin hapur dashurinë për hoxhizmin, e fusin me lezet edhe në shfaqje humoristike, por u kuptohet baza e nisjes. Dhe kjo do të jetë një betejë e gjatë, për ngjarjet që do të vijnë, në planin kombëtar e që do ta zbardhin, do ta zbërdhylin... e këta do të jenë shumë shpejt po kaq të vjetër e arkaikë, siç u bënë Sofo lazot, etj.
Ju jeni një shkrimtar i angazhuar fort me aktualitetin e ditës, përmes shtëpisë botuese “55”, por së pari përmes gazetës së përditshme me të njëjtin emër. Si do ta vlerësonit rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit?
Gazeta “55” në ndryshim nga shumë gazeta të tjera, të cilat padyshim kanë kontributin e tyre në shoqërinë pluraliste, është e shfaqur dhe e hapur në qendrimin e saj. Ajo ka katër shtylla; ajo mbështet projektin politik dhe filozofik të Sali Berishës për zhvillimin e kombit shqiptar, dhe e gjen këtë projekt më të ndershmin, më të drejtin, që është në tradicionin dhe prirjen historike dhe aktjuale të interesave shqiptare. Gazeta “55” është gazetë e hapur “pro” politikës euroatlantike. Që nga Roma në Uashington, që nga Londra në Uashington, që nga Parisi në Uashington, që nga Ankaraja në Uashington. Gazeta 55 është e angazhuar të kërkojë e të zbërthejë me dokumente cdo krim dhe fazë kriminale të diktatruerës komuniste dhe përgjegjësisë që kanë ata përe vrasjen e kombit. Gazeta 55 është në respekt, në zbulim, mbështetje, mbrojtje dhe kërkim të të gjithë vlerave tona kombëtare, paraosmane dhe më pas, në mbrojtje të identitetit perëndimor të shqiptarëve. Të katërta këto, e bëjnë atë të jetë e angazhuar totalisht në politikën aktuale. Dhe në përputhje me këto që thashë, ekspertiza e “55”-s për zhvillimet politike në Shqipëri ka dalë absolutisht fituese, qendrimi i saj ka qenë kualifikues për të gjithë vlerat dhe fitoret politike të së djathtës. Nuk ka gabuar “gazeta 55”, kanë gabuar ato gazeta apo ata analistë të disa gazetave, të cilët me megalomani, me mungesë të theksuar kulture profesionale, me mungesë të theksuar kulture politike, kanë qenë dhe janë të renditur si sulmues të vlerave, kanë qenë dhe janë parashikuesit më të turpshëm, më tragjikë, dhe tashmë mund të them se janë të falimentuar. Por mbetet fatkeqësi fakti se këta të falimentuar gjezdisin nga një gazetë në tjetrën dhe paguhen në mënyrë të turpshme për të sharë e kontestuar vlerat. Këtu ka një kufi. Nuk mundet që një pinjolë, babai i të cilit vret 150 shqiptarë, të dalë sot e të “vrasë” të tjerë shqiptarë. Por gjithsesi, dua të shpreh, se pikërisht, nga kjo filozofi, ne kishim besim se zgjedhjet e 28 qershorit, jo vetëm që do të ishin, moralisht më të pastrat, por edhe se do të risillnin si kryeministër Berishën. Tani është rasti që pyesin se e patën të drejtë këta mjekraxhinjtë që bëjnë filozofin duke vjedhur taksat, banditë dhe hajdutë e mashtrues tenderash, ata pinjollë familjesh të qelbura nga kufomat e vrara apo ata injorantë që mendojnë se shalli i verdhë apo sponsorizimi që i bëjnë njeri-tjetrit, si gomerët në fërkim... Ja kjo është e vërteta!
Përse dështoi Edi Rama? A mund ta konsiderojmë si të mbyllur karrierën e tij politike, në PS, por edhe në bashki?
Edi Rama është figura e cila është më afër palcës së krijimit të partisë komuniste. Ai në të gjitha lëvizjet në politikë, herë nazist, herë komunist, herë zogist, herë fashist, herë socialist, herë fondamentalist islamik me çallmë, s’është i vërtetë në asgjë, por përpiqet ta fshehë jetën e tij, fiks si Enver Hoxha. Enverit i duhej që të retushonte fotografi, të thoshte se ka qenë në këtë demonstratë kur s’kishte qenë, i duhej të fshihte partnerët e tij, i duhej të fshihte marrjen me trafik cigaresh e pijesh të forta, i duhej të shtirej si komunist i vjetër, bile u përpoq deri në atë shkallë sa të thuhej se kishte qenë në Luftën e Spanjës... Ekzistonte një institut i Studimeve Marksiste Leniniste që përpiqej t’i fabrikonte një jetë tjetër Enverit, një jetë krejt tjetër nga ajo që ai kishte. Edhe Rama bën të njëjtën gjë. Asgjë e vërtetë e jetës së tij nuk përshkruhet, nuk thuhet e nuk shqiptohet siç është. Për turp të mbështetësve të tij, një pjesë e dinë mirë se ç’është ai. Dhe këta bëjnë një shërbim më të zi se vetë Rama. Ata e dinë se ai është një tiran i shtypit dhe i fjalës së lirë. Një pyetje i bëri një gazetare e Shijak TV - që punonte me pagesën më modeste në botë - dhe ai i kujtoi semaforin. Vetë Rama është non stop në jetën e tij, në semafor. Nga pikëpamja e mësipërme, Rama ka mbështetjen e pushtetit okult të PS-së, që vjen nga origjina e thellë jashtëshqiptare. Por nëse do të gjeja një përgjigje sa më precize pse ai humbi, do të numëroja një arsye themelore dhe tre të tjera. Arsyeja themelore që ai humbi ishte se ai ra viktimë e industrisë që ngriti, që ishte industria e shpifjes. Ai angazhoi këtu kapacitete gjenuine për shpifjen, dhe shpifja që në periudhën e Rilindjes Italiane, që ka një tabllo gjeniale, është shumë e ëmbël, sepse ngop shpirtin e zi, ambicien, nevojën dhe të krijon një realitet dhe terren ekzaltues. Të gjitha këto, Rama i thithte me ajrin, me një kënaqësi të pamasë. Shpifja u bë orgazma e Ramës. Ushtarët mediatikë që kishte rekrutuar i dukeshin inteligjentë, të mrekullueshëm, ia afronin tek dora skeptrin e fitores. Dhe ky e pomponte, e investonte industrinë e shpifjes, me miliona. Mirëpo, tek milionat, këta punonjësit e industrisë së shpifjes, gjenin orgazmën e tyre dhe e shkelnin gazin në përmasa të tilla, që Rama s’kishte më asnjë mundësi orientimi realist. Me besim të verbër, se duke shpifur, qoftë edhe për mua, që isha njëri nga objektet e tij, apo tek kryeministri dhe më gjerë, ai mendonte se realizonte fitoren me subjektet që prodhonin tragjedi për këtë shoqëri të tragjedizuar. Urdhri për të mos dalë x-i apo y-i në tv, urdhri për të dalë vetëm filani në tv, urdhri për të sinkronizuar sulmet nga media më poshtëruese antishqiptare, me xhuxha, e deri tek gjatoshët që kapnin antenat e Astir Palace, apo caktimi i kryeprokurorit gjatë një gjuetie, ku kafshët gjuanin kafshë, apo përmendja se si do të fusim në burg njerëzit e kryeministrit, Fahri Balliun apo ndonjë tjetër.... të gjitha këto, u lexuan dhe u ndjenë nga shqiptarët. Dhe ai u bë i frikshëm, i frikshëm, sepse nuk komandohej, nuk i nënshtrohej as ligjit, as gjë prej gjëje. Kjo i largoi përfundimisht shqiptarët prej tij. E lexuan! Dhe atë mund ta bëjë vetëm ai, babai i të cilit vrau 150 vetë dhe u bënte aktaakuzën tre ditë pas pushkatimit. Vetëm djalit të këtij mund t’i dukej kjo normale. Ata s’janë Shqipëria, ata janë vetëm krimi komunist. Ata e kanë damkën. Pra, ai ngriti industrinë e shpifjes dhe industria e shpifjes e zuri nën të. Mjafton të kujtosh se bashkëpunëtori kryesor i tij nuk mori asnjë votë, jo vetëm në vendin ku e përdori tërë perversitetin që kishte, por nuk e pranuan asnjë lloj kategorie shqiptarësh. Dhe sigurisht që dergjet lokaleve të Tiranës. Ndryshe, do fëlliqte parlamentin.
Një arsye tjetër e humbjes së Ramës, është ai nga urrejtja për kundërshtarin, nuk pranon njohjen e tij., nuk ërkon të marrë parashysh realitetin. Është virtual në përfytyrimin ndaj kundërshtarit. Smund të mos marrësh parasysh personalitetin poliitk, hjistorik, të Berishës, rolin e tij në jetën shqiptare të 20 vjetëve, si drejtues i opozitës, si president dhe si kryeministër. Duke e nxirë gjithçka, ai i mbushi me urrejte shqiptarët. Për veten e tij, se nqse nuk e ke qendrimin realist, vlerësues për ato që jan ë të dukshme e të pranushme nga të gjithë, atëhere ti je një njeriu që s’i vlen askujt, as partisë tënde. Qeveria Berisha katërvjetshin e kurorëzoi në një masë të pandodhur ndonjëherë me realizme të premtimeve., me disa ngjarje madhore, që ti hyn në NATO – dhe kur shpif se i vodhën orën Bushit, kujton se anallohet kjo – Këto janë kundërvënie qesharake. Dhe më keq akoma, Rama kishte zhvilluar një trajektore politike vetëvrasëse ndaj LSI-së dhe Metës, i cili ndaç aleat i Berishës, ndaç i Fatosit, ndaç kryeministër me vete, është një lider-pol, me vlera, që në Shqipëri çmohen, siç është aftësia e vendimmarrjes apo e të qendruarit tek fjala dhe marrëveshjet – veti të cilat, të dyja, nuk i ka Rama. Pra ekspertiza e tij për kundërshtarin, ishte një ekspertizë mohuese, shfaktorizuese dhe jo vetëm që kunërshtari spësonte gjë nga ky qendrim – përkundrazi, ndjehej më komod – por vetë ky, me këtë zezonë-qendrim, humbte në sy të votuesit. E treta, Rama është një kryetar bashkie që s’dihet ku e ka shtëpinë. Rama që thotë se kam pasuri vetëm 400 mijë lekë, Rama që fle në muzeum, Rama që duhet të falsifikojë deri brenda familjes së ngushtë. Shumë shpejt do të ketë letërsi për fatin e një aktoreje. Roman, skenar filmi apo dramë, por do të ketë, dhe zotëria është në tavë... zotëria është në tavë, kur menjëherë pas vrasjes së një killeri, mbështet jetën e vet shpirtërore... ajo që i tha Blushit, se ti s’më njeh mua dhe nuk e di se çfarë të bëj unë, është shumë e saktë, shumë e vërtetë, veç ka një të metë: se ky nuk e di se ç’do ti bëjnë këtij. Ky njeri që donte të udhëhiqte këtë vend s’kishte kurrfarë programi se ç’do bënte. Mendonte se ato do drejtohen me stilin e bordellove të Pezës. Kush është ky njeri që lumturret se i binden ata qëpaguan, ata që kanë vesin e tij apo s’kanë personalitet? C’të mirë do t’u sjellë ky shqiptarëve? Hartimet e çunit të Sulës? Apo forca “komanduese” e Bares? Krejt i pallogaritur për lider, për pushtet, etj. Arsyeja e fundit është se Rama është frikacak; është 99 përqind frikë e 1 përqind ujë. Pjesa infantile e tij mashtrohet nga një dobiç dhe manipulohet prej një vjedhësi ordiner, një shpërndarës këshillash, që të çojnë gjithnjë – pra të lëvizin në segmentin opozitë-burg. Pjesa korruptive e aktivigtetit si kryebashkiak ia rrit frikërat, dhe mjafton një ndryshim klimaterik në sistemin gjyqësor, që nga prokuroria, vetëm e përfytyruar, Ramën e destabilizon. Edhe pse u ndihmua nga segmente të rëndësishme të shteti shqiptar, të sistemit të drejtësisë, më gejrë e më lart, Ramës nuk i pushuan frikërat dhe ato e shoqëruan gjatë gjithë fushatës dhe intuita e elektoratit e lexoi, e kapi këtë. Gjithashtu, influencoi.
Sigurisht, një analizë më e gjerë nxjerr edhe të tjerë faktorë. Kaq për këtë radhë.
Në një vështrim, tashmë kur është ngritur kabineti i ri qeveritar, a mund të themi se ajo i justifikoi shpresat e votuesve që prodhuar koalicionin e ri qeverisës, PD-LSI?
Qeveria është emblematike ëprsa i përket pyetjes tuaj. Është konceptuar me inteligjencë, ka parametra shumë të lartë, krahasuar edhe me qeverinë e mëparshme, ka pasur një avanatazh se duke ardhur nga një kabinet i suksesshëm, ka mbetur jashtë ministra të cilët nuk mund të gjykohen për defekte, përkundrazi kanë qenë ministra reformash të suksesshme, si Jemin Gjana, por edhe korrektesa shtetare e Xhuvelit, ka dhënë një model të staturës së ministrit. Por gjithsesi, ky kabinet, më shumë se një kabinet qeverie është një kabinet misionar. Kjo qeveri e sotme është Mukja e munguar në jetën e këtij kombi. Gjithë tragjedia vrasëse zu fill me prishjen e Mukjes, me prishjen e Pezës, me përjashtim të Miladinit dhe Enverit, faktorët e Pezës u dënuan, denigruan dhe vranë nga Enver Hoxha. Raporti privat i Ramës me Muzeun e Pezës nuk mundet ta errësojë vrasjen që i bëri Pezës vetë Enveri me Miladfin Popovicin dhe Dushan Mugoshën. Kështu që ky kabinet përbëhet nga autoritete me përvojë politike, përvojë administrative, përvojë drejtimi dhe një frymë shpirtërore sa i përket integrimit të Shqiëprisë në BE.
Aspirata e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, por edhe kryefjala e programit të ri qeverisës mbetet integrimi i vendit në BE. Në këtë kontekst, si e vlerësoni paradigmën e debatit për figurën e Skënderbeut? Kujt i intereson stigmatizimi i heroit tonë kombëtar?
Debati dhe sulmi mbi figurën e Skëndërbeut ka dy qendra komandimi; 1 është Serbia, e cila ka pasur dhe ka një infrastrukturë serioze, që e angazhon kundër vlerave dhe vitalitetit të kombit tonë. Tezat kundër Skëderbeut qëmtohen nga disa elemente qyqare dhe përpiqen t’i ngrenë ato në nivelin e dokumentit e të faktit historik. Qendra tjetër është pjesëtarë ët terroristëve që burojnë nga fondamentalizmi islamik. Prandaj bashkohen dhe janë njëlloj disa të veshur me smoking, me ata me poture. Të tjerat janë lojëra fjalësh. Skënderbeu solli në Krujë dy sulltanë, që ishin shefat e superfuqisë së kohës. Vetëm monstrat që nuk kanë asnjë shije shqiptarie e sulmojnë Skënderbeun, monstra që nuk kanë asnjë shije njerëzore, politike, estetike të mbarë, për vendin ku hanë, për vendin ku u lindën e rritën. Lufta kundër Shqipërisë gjkthnjë është bërë me monstra dhe monstruozitet. A nuk ishte një monstruozitet komunizmi që synoi asgjësimin gjenetik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dy sulltanë në Krujë, një papë që e quan atlet i Krishtit, dhe një turp për ca çapaçulë që vjedhin diplomat lart e poshtë, me shërbesa të zeza.
Kur flasim për integrimin tonë në BE, mediat flasin ngushtësisht veç për integrimin e Shqipërisë... Aspirata është e të gjithë shqiptarëve, në të gjitha trevat apo jo? Ç’rol duhet të luajnë intelektualët dhe njerëzit e angazhuar për unifikimin e këtyre përpjekjeve mbarëkombëtare?
Një nga ato metastazat e zeza të diktaurës që vepron në media sot lidhet pikërisht me këtë qendrim. Shqipëria nuk është Tirana. Media dhe analistët, shkritmarët, intelektualët shqiptarë, të ndershëm dhe të drejtë, në luftë me ato monstrat që thashë, duhet ta konceptojnë se Kosova është një gjymtyrë e trupit tonë, në ngjitje e sipër me trupin. Po kështu edhe Shqipëria e mbetur në Maqedoni. Shqiptarët janë njerëz të arsyeshëm dhe politika shqiptare është shumë inteligjente. Ajo nuk do të shkelë kurrë asnjë ligj ndërkombëtar, por kur me të drejtë, qeveria italiane angazhohet për të shpëtuar një gazetar italian në Afganistan, kur Departamëenti i Shtetit, për dy turistë amerikanë në Guine angazhon ekzekutivin për sigurimin e jetës së tyre, kur Australia kujdeset që asnjë qyteatr i saj të mos shkojë në Greqi, në ditët e protestave, ne kemi atqëhere krejtësisht të drejtën që me ujin që pijmë, me ajrin që marrim, ta ndjejmë botën shqiptare, kudo që ndodhet, kudo që ekziston, nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, tek emigrantët tanë, deri në Johanesburg, Melburn... Dhe prandaj, futja jonë në BE është futje e shqiptarëve. Në këtë kuptim, ne duhet t’u ngjajmë të gjitha atyre shoqërive perëndimore, që e ndjejnë kombin në palcë, pavarësisht nga fati, që kanë përcaktuar konferenca të ndryshme. Por në këtë fushë veprojnë ede shumë ligje të zotit. Kjo është fusha që më shumë se kushdo e kupton çdo të thotë që i drejti zhytet, por nuk mbytet. Shqiptarët, kudo që janë, u zhytën por nuk u mbytën dhe tani kanë kohën të numërohen ku janë, sa janë, si janë, dhe çdo politikan shqitpar, çdo program qeverie do të mendojë se ata janë pjesë gjenetike e kombit. Dhe më shumë se deri tani, këtë e ka dëshmuar profili politik i Berishës. Dhe kabineti i tanishëm, në këtë koalicion, ka një hapësirë dhe mundësi ehde më të gjerë për ta perceptuiar thellësisht, shportërisht, çdo sukses të Shqipërisë, njëherësh si sukses të të gjithë shqiptarëve.