E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në Ministrinë e Jashtme arritët rezultate të jashtëzakonshme, shpresoj që rrugët tona të kryqëzohen sërish”

Sekretarja e Shtetit e SHBA, Hillari Klinton uron ministrin Lulzim Basha, për detyrën e re

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin edhe njëherë mbështetjen për qeverinë shqiptare dhe angazhimin për të bashkëpunuar me të, si dhe vlerësime për arritjet e katër viteve të shkuara të qeverisë së djathtë.
Një mesazh po kaq i qartë, i është përcjellë dje ministrit të Brendshëm Lulzim Basha nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton. Në një letër drejtuar zotit Basha, sekretarja Kliton e uron atë për emërimin me postin e ministrit të Brendshëm dhe i shpreh dëshirën e bashkëpunimit të mëtejshëm. Por në veçanti zonja Klinton thekson arritjet e tij në drejtimin e Ministrisë së Jashtme.
“Urime për emërimin tuaj si Ministër i Brendshëm në qeverinë e re të vendit tuaj. Ju e lini Ministrinë e Jashtme me arritjen e jashtëzakonshme të futjes së kombit tuaj në NATO dhe garantimit të një trashëgimie sigurie dhe bashkëpunimi euroatlantik për popullin e Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Klinton.
Sekretarja amerikane e Shtetit, vlerëson kontributin e ish ministrit të Jashtëm, Basha, në drejtim të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj.
“Ju falenderoj gjithashtu për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i dhatë Kosovës për t’ju bashkuar familjes së kombeve. Pres me kënaqësi të bashkëpunoj me pasardhësin tuaj Ministrin e Jashtëm Meta për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët të një Europe Juglindore në paqe dhe prosperitet”, thotë ajo. 
Klinton shpreh më tej, se shpreson që të vazhdojë bashkëpunimin me ministrin Basha edhe në të ardhmen me sfida të tjera plot të rëndësishme.
“Jam e sigurt se rrugët tona do të takohen përsëri. Me urimet më të mira për detyrat tuaja të reja”, mbyll mesazhin e saj të urimit, kryediplomatja amerikane, Hilari Klinton.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›