“Shqipëria ka gjetur te SHBA, aleatin më të madh për forcimin e lirisë dhe paqes”
Kryeministri Berisha uron Presidentin Obama për marrjen e Çmimit “Nobel” për Paqe për vitin 2009
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i ka dërguar dje një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009. kreu i qeverisë shqiptare, Berisha, vlerëson se përzgjedhja e Obamës si fitues i çmimit “Nobel”, për Paqe për vitin 2009, është një ngjarje e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjithë qytetarët e kombit të madh amerikan.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për marrjen nga ana juaj të Çmimit ‘Nobel’ për Paqe për vitin 2009, të merituar plotësisht për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për konsolidimin e paqes e sigurisë globale, për një botë pa armë bërthamore dhe për promovimin e mirëkuptimit e bashkëpunimit ndërmjet popujve e kombeve anembanë globit. Përzgjedhja juaj si fitues i Çmimit ‘Nobel’ për Paqe për vitin 2009 është një ngjarje e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjithë qytetarët e kombit tuaj të madh, të cilët kanë të drejtë të krenohen me Presidentin e 44-t të tyre dhe me përpjekjet e tij në shërbim të paqes, sigurisë e bashkëpunimit anembanë globit”, shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit shqiptar, vlerëson se kjo është një përzgjedhje është një ngjarje e shënuar edhe për Shqipërinë, e cila ka gjetura te kombi amerikan, mikun më të madh në forcimin e lirisë dhe paqes.
“Por kjo përzgjedhje është gjithashtu një ngjarje e shënuar për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, si edhe për të gjithë miqtë e dashamirësit Tuaj dhe të kombit të madh amerikan anembanë botës, të cilët kanë gjetur tek Ju mikun e tyre më të madh e më të shquar dhe te SHBA-të aleatin më të madh e strategjik në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e lirisë dhe promovimin e paqes e sigurisë globale”, thuhet më tej në urimin e Berishës.
Për sa i takon rolit të Presidentit Obama, në neutralizimin e konflikteve, Berisha vlerësoi vizionin e tij në dobi të paqes dhe lirisë.
“Kam ndjekur me admirim vizionin tuaj gjithëpërfshirës dhe përpjekjet tuaja për të shuar konfliktet në zona të nxehta të globit, për të forcuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet shteteve e popujve të ndryshëm. Në veçanti, kam mbetur i impresionuar nga vizioni që Ju shpalosët në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbajtur më 23 shtator në Nju Jork, ku u miratua me unanimitet rezoluta historike për çarmatimin bërthamor, ndaj ndihem shumë i lumtur t’Ju uroj sot për këtë çmim të merituar si edhe për sukses në misionin dhe përpjekjet tuaja të mëtejshme për një botë ku sundon paqja dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve e kombeve”, nënvizon më tej, në letrën e tij të urimit, kryeministri Sali Berisha.