E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balliu e Delijorgji ndërtuan Gërdecin

TIRANË- Kompania ndërtuese "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, me pronar të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e pronarit të shtëpisë botuese dhe gazetës "55", i njohur ndryshe si "këshilltar" i kryeministrit Sali Berisha, njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Fahri Balliu, ka qenë firma që ka ndërtuar fabrikën e "ferrit" që i mori jetën 26 personave dhe i gjymtoi më shumë se 300 të tjerë.

Fakti konfirmohet nga provat shkresore, që grupi hetimor i ka sekuestruar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Këto prova janë administruar në dosjen penale nr.3 të vitit 2008, ku janë marrë të pandehur 29 persona si përgjegjës për shpërthimin e kësaj punishteje. Provat shkresore që "Shekulli" ka siguruar nga një kopje, tregojnë se gjithçka është ndërtuar nga kjo firmë, edhe pse Fahri Balliu, pretendon të kundërtën.


Në shkresën me numër protokolli 1217 që mban datën 11 qershor 2007, të firmosur nga Gjeneral Brigade Astrit Jaupi, njoftohet ish-Komandanti i Forcës së Bashkuara Gjeneral Shpëtim Spahiu për fillimin e punimeve të një firme private në ish-repartin e tankeve në Gërdec.

"Siç jeni në dijeni, me datë 28 prill 2007 ka filluar punën firma private "Trans Diggining Consturction" sh.p.k. Ju lutem dërgoni shkresën zyrtare për këtë problem"-thuhet në shkresën dërguar Gjeneral Spahiut, nga Jaupi.

Spahiut i kërkohej të të pajiste me dokumentacionin përkatës firmën ndërtuese. Pasi nga data 28 prill e deri në qershor të 2007 firma private me ortak të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e këshilltarit personal të kryeministrit Sali Berisha, botuesit Fahri Balliu, kryente punimet për transformimin e ish-repartit të tankeve në një punishte demontimi të municioneve të rënda e të lehta pa asnjë kontratë dhe vetëm me një urdhër gojor të Gjeneral Shpëtim Spahiut.


Ndërkohë, grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme edhe pas përfundimit të hetimeve për shpërthimin e punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, nuk ka kryer asnjë veprim hetimor e procedural për të sanksionuar firmën private "Trans Diggining Construction" sh.p.k. e cila ka kryer punimet për ngritjen e kësaj punishteje.

"Gjatë hetimeve të kryera për 12 muaj, është evidentuar se firma private "Trans Diggining Consturction" sh.p.k. me ortak Mihal Delijorgjin, vëllain e tij Kristo Delijorgjin dhe vajzën e botuesit Fahri Balliut, Henrisit, kanë kryer punimet për ngritjen e punishtes së demontimit të municioneve.

Por, edhe pse ky veprim i kësaj kompanie është provuar, prokuroria nuk ka urdhëruar sekuestrimin e kësaj pasurie për shkak të verifikimeve që Qendra Kombëtare e Regjistrimeve të Biznesit (QKR-ja) i ka vonuar.

Pas publikimeve në media, QKR-ja na ka vendosur në dispozicion të gjitha aktet dhe kontratat e kësaj firme dhe pritet të diskutohet në një analizë të hollësishme për veprimet që do të kryhen më tej",- thuhet nga burimet e prokurorisë.


Ndërkaq, asnjë nga këto aksionerët e kësaj firme dhe punëtorët që kanë punuar në transformimin e këtij ish-reparti të tankeve në fabrikë demontimi të municioneve, nuk është marrë në pyetje nga prokuroria.

Ky veprim i prokurorisë, sipas burimeve të akuzës, arsyetohet me pretendimin se "dosja për këtë çështje dhe të tjera është ndarë dhe po hetohen në veçanti pozicionet e të gjithë personave dhe subjekteve që kanë punuar në atë punishte demontimi".

---------------------------------------------------------------------------------------

Firma e Balliut, nisi punën në repart pa asnjë shkresë zyrtare të lëshuar prej krerëve të Ushtrisë

Mediu u informua se nuk po respektoheshin rregullat

Shkresat hedhin poshtë pretendimet e botuesit të "55" se firma nuk kishte pasur aktivitet që nga krijimi i saj

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes deputeti pa imunitet tashmë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediu, dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Luan Hoxha, kishin dijeni për përfshirjen e Mihal Delijorgjit dhe Fahri Balliut (vajza e tij në atë kohë ishte vetëm 20-vjeç) në ngritjen e fabrikës së "ferrit" në Gërdec.

Ky fakt vërtetohet nga shkresat zyrtare të administruara si prova materiale në dosjen penale nr.3 që ndodhet tashmë në Gjykatën e Lartë me 29 të pandehur të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 ku për pasojë gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan.


Sipas shkresës me numër protokolli 197 dhe 198, që mban datën 13 qershor 2007 komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake, nënkolonel Drini Nikolla, njofton ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, se që nga data 28 prill 2008 e deri më 13 qershor 2007 firma ndërtuese "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, ka kryer punime në zonën e ish-repartit të tankeve në Gërdec pa një urdhër me shkrim.

"Firma "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, prej datës 28 prill 2007 e deri më 13 qershor 2007, ditë kur është dërguar shkresa po kryen punime në zonën e Gërdecit brenda territorit të repartit në mënyrë antiligjore duke mos disponuar asnjë urdhër me shkrim nga Komanda e Forcës së Bashkuar",-thuhet në shkresën.

Kjo shkresë, "Shekulli" disponon një kopje, konfirmon se fabrika e Gërdecit është ndërtuar që në themel nga njerëz shumë pranë kryeministrit Sali Berisha, dhe më pas është menaxhuar po nga njerëz shumë të afërt të kryeministrit, që ishte baxhanaku i tij Muhamet Hoxha, i mbetur i vrarë nga shpërthimi i 15 marsit 2008.

Gjithashtu, dokumentet që "Shekulli" publikon hedhin poshtë edhe deklaratat e botuesit Fahri Balliu, i cili i cilësoi sulmet ndaj tij si politike.

Këto dokumente, provojnë edhe një herë jo vetëm një ortakëri të thjeshtë biznesi ndërtimi mes Balliut dhe "arkitektit" të Gërdecit, Mihal Delijorgjit, por që të dy janë bashkautorë të ndërtimit të vendit të tragjedisë, ku si pasojë e shpërthimit të 400 tonëvë barut gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u dëmtuan.

"Nga verifikimet e bëra se "me urdhër gojor Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar gjeneral brigade Shpëtim Spahiu, thuhet se nga ana e firmës private "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, do të kryhen punime në këtë repart për interes të Forcave të Armatosura.


Aktualisht, në këtë objekt janë prishur tre godina për të cilat deri më datë 26 maj 2007 nuk ka patur urdhër me shkrim nga Komanda e Forcës së Bashkuar.

Konkretisht është prishur terreni sportiv, infermieria dhe lokali i repartit"'-thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga komandanti i batalionit të policisë ushtarake nënkolonel Drini Nikolla, i cili i ka cilësuar këto punime si veprime të kundraligjshme nga firma dhe vetë Komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu.

Ndërkohë, edhe pse hetimet për shpërthimin e Gërdecit kanë përfunduar, prokuroria nuk i ka përfshirë në dëmet e shkaktuara ndaj shtetit, prishja e godinave dhe terreneve sportive nga firma "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, për ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve të lehta e të rënda.

Ndërsa, edhe pse ky informacion i është dërguar ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut dhe ish-shefit të Shtabit Luan Hoxha, rezulton se asnjëri prej tyre nuk ka marrë mundimin apo të ketë shprehur interes për ta zgjidhur problemin e ngritur nga komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake, nënkolonel Drini Nikolla.

Kompania rezulton funksionale në QKR


TIRANË- Një kompani e përbashkët ndërtimi në të cilën janë ortakë, i akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji dhe vajza e botuesit të Gazetës "55" Fahri Balliu, është ende aktive dhe nuk është sekuestruar nga Prokuroria, megjithëse dosja e "Gërdecit" ka shkuar në Gjykatë. Sipas dokumentacionit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimeve të Biznesit (QKR-së) kjo kompani vazhdon punën e saj normalisht edhe pse ortakët e saj kryesor me 40 % janë dy vëllezërit Delijorgji.

Sipas dokumentacionit të depozituar në QKR, Mihal Dleijorgji dhe Fahri Balliu, botuesi i Gazetës "55" kanë krijuar në vitin 2006 një kompani të përbashkët ndërtimi dhe transport materiale ndërtimi në te cilën botuesi Balliu përfaqësohet nga vajza e tij 20- vjeçare, e cila është studente jashtë Shqipërisë.

Botuesi i gazetës më të afërt të Berishës, ka qenë gjatë këtij viti shumë aktiv në sulmet ndaj Prokurorisë që tentonte të hetonte dosjen "Gërdeci". Dy ortakët e tjerë të kompanisë, vëllezërit Mata duket se janë formale pasi në shkurt të vitit 2009 ata ia falin aksionet e tyre një zonje të njohur në fushën e biznesit.

Ndërkohë, vetëm dy ditë pas publikimit të këtyre fakteve, që vajza e botuesit Balliu është aksionare në këtë kompani me 20 % pronari i shtëpisë botuese "55" dhe vajza e tij Henris Balliu ia fal aksionet vëllezërve Delijorgji.


Aksionerët e kompanisë së Balliut


TIRANË- Kompania "Trans Digging Construction" ka kryer aktivitetin e saj për tre vjet dhe veprimi i fundit i regjistruar është largimi i dy prej aksionerëve. Në kontratën e themelimit të saj thuhet se "ortakët mund të heqin dorë, por gjithmonë për shkaqe të përligjura. Heqja dorë nuk i shkarkon ortakët nga detyrimet e shoqërisë deri në momentin e heqjes dorë.

Në rastin e heqjes dorë ata mund t'ia ofrojnë pjesën e tyre të kapitalit ortakëve të tjerë, në bazë të të drejtës së parablerjes dhe me refuzimin e tyre, mund t'ia ofrojnë këtë pjesë ndonjë personi tjetër". Këtë veprim kanë kryer më datë 16 shkurt administratori Ervin Mata dhe Martin Mata.

Ata kanë kërkuar që të heqin dorë nga aksionet e tyre në kompani duke ia dhuruar ato një personi tjetër, e cila nuk ka lidhje me shoqërinë. Pëlqimi për këtë person është dhënë më datë nëntë shkurt 2009 nga aksionerët e tjerë të kompanisë "Trans Digging Construction". Me pranimin e dhurimit, aksionarja e re është bërë pronare e 40% të aksioneve por edhe të gjitha detyrimeve që rrjedhin prej saj.

Sipas dokumenteve të botuara në media rezulton se në aktin e themelimit të kompanisë "Trans Digging Construction sh.p.k", ortakë themelues të saj janë Mihal e Kristo Delijorgji, me 40 % të kuotave (20% secili), Henris Balliu me 20 % (vazja e Fahri Balliut, e cila në moshën e firmosje së kontratës ishte vetëm 20 vjeçe) dhe vëllezërit Martin dhe Ervin Mata, me 40 % të kuotave (20% secili).

Objekti i veprimtarisë së kompanisë është "aktivitet në fushën e gërmimeve të tokës me qëllim ndërtimin e objekteve të banimit dhe veprave të ndryshme ndërtimore; transportin e dherave të gërmimit të tokës, si dhe të materialeve inerte".



Padia civile


TIRANË- Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, Dritan Minxholli do të gjykohen edhe nga një padi civile në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Në padi kërkohet që personi apo subjekti juridik t'i paguajë dëmet e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.

Vlera monetare që kërkohet të paguhet, është ajo e nxjerrë nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve që prokuroria tashmë e ka bërë të ditur dhe që është rreth 2.2 miliardë lekë të reja, afërsisht 16 milionë euro. Kjo shumë tashmë është paguar nga autoritetet, ndaj të dëmtuarve nga shpërthimi.


PASOJAT

TIRANË- Sipas prokurorisë, nga hetimi 12- mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.

Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja apo rreth 16 milionë euro

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›