E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshen me policinë marrin nga gjykata “burg pa afat”

14/04/2009  “Lufta” në Shkodër

Krimet e Rënda vendosën dje të lënë në “arrest me burg” të pandehurit Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj. Akuza me të cilën Prokuroria solli në gjykatë të pandehurit është ajo e “trafikimit të lëndëve narkotike”, “kundërshtim me armë i punonjësve të policisë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Të pandehurit edhe pse u kapën në flagrancë nuk kanë dhënë asnjë shpjegim para gjykatës. Ndërsa organi i akuzës sqaroi gjithë ngjarjen duke dhënë detaje për mënyrën se si u diktuan personat që më parë kanë qenë me precedent penal dhe më pas organizimin e operacionit “gracka”. Të pandehurit janë kapur në kuadër të këtij operacioni. Kanë qenë sipas akuzës punonjësit e policisë Sejfulla Metko e Ilmi Gjona ata që neutralizuan të pandehurit në momentin kur ata tentuan të qëllojnë me armë në drejtim të tyre. Akuza tha dje se pas neutralizimit janë pyetur personat e kapur në flagrancë dhe kanë dhënë shpjegime të hollësishme duke mos patur mundësinë të fshihen. Sabah Vuçaj është pikërisht ai që është kapur në flagrancë me lëndën narkotike, e cila pas peshimit rezulton se është rreth 7 kg e 700 gram si dhe një automatik me dy krehër me fishekë. Ndërsa armët e kapura shtetasve Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj janë një automatik model 56 me një karikator me 4 (katër) fishekë dhe një armë automatike model 63, dhe në trup me një karikator me 18 fishekë. Shtetasi Sabah Vuçaj është dërguar për t’i dhënë ndihmën mjekësore duke e dërguar në spitalin rajonal Shkodër. Si rezultat i kësaj përleshjeje janë dëmtuar dhe punonjësit e policisë Erdit Rreceku, Ilmi Gjona, ku dhe këta kanë marrë ndihmën mjekësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›