Rama: Programi i PS-së për politikat sociale
PS-ja ka nisur dje, në Laç, prezantimin e programit të saj elektoral dhe qeverisës. Kreu i PS-së ka paraqitur zgjidhjet për politikat sociale
LAÇ- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur qytetin e Laçit për të nisur turin për prezantimin e programit të ri qeverisës, i cili do të marrë jetë pas fitores së 28 qershorit. Sipas liderit të opozitës, bëhet fjalë për një program, të ndërtuar mbi 7 shtylla kryesore, ku shtylla themelore do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë, me ndihmën ekonomike si mundësi reale, si punësim dhe kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri.
Në takimin me banorët e Laçit, Rama ka shpalosur një nga pjesët më të rëndësishme të programit, atë të politikave sociale. Duke kujtuar varfërinë në shtim dhe hendekun e madh mes shumicës së varfër në rritje dhe pakicës së pasur, Rama ka nënvizuar se nuk është fati i keq i njerëzve, por keqqeverisja ajo që e ka çuar vendin në këtë situatë dramatike.
Ai ka premtuar kushte më të mira për njerëzit dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin ku punohet dhe jetohet me dinjitet dhe ku përfundimisht njerëzit do të ndahen nga varfëria e skajshme dhe përjashtimi social. Sipas Ramës, varfëria nuk është bashkudhëtare e pashmangshme e ekonomisë së tregut, por mungesë kushtesh për të vënë në jetë njohuritë, shprehitë dhe aftësitë e talentet e njerëzve.
"Ne nuk do t'i matim politikat sociale me rritjen e lëmoshës për të varfrit, siç bën qeveria e sotme, në vijim të keqqeverisjes dhe keqtrajtimit të këtij problemi prej 18 vjetësh, por do t'i matim me numrin e familjeve që do të nxjerrim një herë e mirë nga varfëria",- tha ai, duke sqaruar edhe shtyllën themelore të programit të ri. Kreu i socialistëve është shprehur besimplotë, se në fund të mandatit të parë, varfëria do të përgjysmohet.
Aktualisht, Rama ka kujtuar se varfëria reale është rreth 40 % dhe në zonat malore kalon mbi 50 %, ndërkohë që 1 në 5 shqiptar jeton me më pak se 2 $ në ditë, ndërsa 1 në 10 jeton me më pak se 1 $ në ditë.
Në kushte të tilla, vetëm për të paguar ujin, energjinë dhe bukën, në një muaj nevojiten më shumë para se ndihma që merr sot një familje e varfër. E përballë një situata të tillë, sipas Ramës, përgjigja e duhur ndaj varfërisë nuk është lëmosha, por punësimi.