E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Altin Dardha më vuri automatikun në ballë"

Procesi

Dëshmitari Rifat Torra, ka pohuar se kishte parë Gëzim Kasemin të plagosur në makinën me të tmerrshmin e Beratit


TIRANE- Gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të Gëzim Kasemit, ish- anëtarit të bandës së Altin Dardhës, në Gjykatën e Tiranës, ka dëshmuar Rifat Torra, në cilësinë e dëshmitarit të thirrur nga organi i akuzës.

Ai ka rrëfyer në lidhje me një ngjarje të shkurtit të vitit 1998, kur sipas tij, Altin Dardha e kishte kërcënuar me automatik në kokë, ndërsa kishte parë të plagosur një person që sipas tij ishte njeriu që ndodhej në sallën e gjyqit.

Ndërkaq në seancë avokati i të pandehurit Gëzim Kasemi, ka kërkuar nga gjykata shuarjen e masës së sigurisë ndaj klientit të tij, duke qenë se ka kaluar afati i paraburgimit.

Më pas gjykata vazhdoi me dëshminë e Rifat Torrës. Ai pohoi se nuk e mbante mend datën e ngjarjes, por sipas tij duhej të ishte fundi i muajit shkurt të vitit 1998. "Në atë kohë kam patur një fuoristradë.

Djali im Eriku, përdorte një veturë "Ford". Ne ishim nisur drejt shtëpisë në Uznovë. Por unë nuk do shkoja në shtëpi shpejtova t'i lija porosi dhe i bëra shenjë që të ndalonte pa mbërritur tek spitali, për të marrë një bukë. I bëra sinjal me drita i rashë borisë".

Sipas Torrës, i biri nuk po e shikonte ndërsa në këtë moment kishte kuptuar që shume njerëz po e shikonin. "Në atë kohë djali ndaloi, më pa. I thashë të merrte një bukë. Më tha "më vonë se tani do të iki njëherë në shtëpi, se kam një punë dhe do kthehem prapë.

Aty u ndamë dhe hipëm më makinat tona. Pasi eca pak, pranë një pike me materiale ndërtimi, shikoj nga pasqyra në automjet tip "Fiorino". Sipas tij, në pjesën e dritaren e pasme ishte jashtë me gjysmën e trupit, ndërsa në dorë mbante një automatik.

"Makina u afrua dhe unë u hapa rrugë. Ashtu bëri dhe djali, i cili ndaloi 30 metra përpara. Automjeti "Fiorino" në të cilën ndodheshin të armatosurit u afrua me makinën time dhe dyert e asnjërit nga mjetet nuk hapeshin.

"Aty ai (Altin Dardha) më drejtoi armën disa centimetra larg fytyrës tim. Kjo punë vazhdoi për 15 sekona dhe pastaj ai urdhëroi shoferin "Ec!".Pasi doli makina 2 metra para asaj times, i hapen dyert e pasme "Fiorino"-s. Sipas tij, aty ai ka parë një një mitraloz të lehtë dhe një person aty pranë.

"Pashë edhe person të gjakosur në fytyrë, ndërsa ai që më drejtoi automatikun ishte Altin Dardha. Pas pak aty kaloi një polic me një motor dhe më pas një makinë policie.

Kur shkova në Uznovë mora vesh që ishte vrarë një Sali. Më vonë dëgjova se kishte ndodhur edhe një vrasje dhe mendova se ka qenë djali që ishte i gjakosur,- ka rrëfyer gjatë dëshmisë së tij Rifat Torra.

Dëshmia e dhënë nga Torra, lidhet me episodin e vrasjes së Sali Kumanit, i cili ishte qëlluar pa shkak, ndërsa ishte rrëmbyer një fuoristradë në pronësi të Riza Qoses.

----------------------------------------------------------------------------------------------

Vidhen zyrat e një firme, merren 300 mijë lekë


TIRANE- Vidhen me thyerje zyrat e një biznesi në rrugën "Brigada e VIII", në zonën e ish- bllokut. Autorët kanë mundur të marrin që andej një shumë prej 600 eurosh, 230 mijë lekë të reja si dhe një sasi sendesh të tjera të vlefshme.

Ngjarja, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur gjatë orëve të natës, kur persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet firmës së Antonio Abrushit (Abrusci), ndërsa kanë mundur të marrin sasinë e parave prej 600 eurosh dhe 230 mijë lekësh, ndërsa më pas janë larguar.

Krimi është konstatuar gjatë orëve të paradites së djeshme nga punonjësit ndërsa është lajmëruar policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja nga specialistët e hetimit është konstatuar se krimi është kryer me thyerje dhe autorët kanë përdorur sende të forta, ndërsa pasi kanë marrë paratë janë larguar.

Policia ka konstatuar në vendin e ngjarjes gjurmë të ndryshme të cilat janë administruar nga hetuesit, me qëllim dërgimin e tyre për krahasim në laborator. Dyshimet e policisë janë ngritur mbi disa persona ndërsa janë kryer disa shoqërime.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›