E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali vret babanë, shokun, plagos nënën e kushëririn

MASAKRA/ Arjon Lulaj është vënë në pranga nga policia në banesën e tij për vrasjen e dyfishtë e plagosjen e dyfishtë

VLORË - Pi gjatë ditës dhe në mbrëmje qëllon me kallashnikov mbi të atin, të ëmën, shokun dhe kushëririn duke lënë të vdekur dy prej tyre e duke plagosur dy të tjerët. Masakra ndodhi mbrëmjen e së hënës në lagjen "24 Maji" në Vlorë, ndërsa viktimat ishin babai i tij 51-vjeçar dhe shoku i vet 28-vjeçar, Bledar Xhaferraj, nga fshati Picar.

Ndërkohë nëna e tij, dëshmitare në ngjarje ka mbetur e plagosur dhe po kështu djali i dajës së autorit, 27-vjeçari Jovan Lazaj. Policia vuri në pranga autorin 23-vjeçar, Arjon Lulaj, ndërsa po punohet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes.
Ngjarja


23-vjeçari Arjon Lulaj, shoku i tij Bledar Xhaferri dhe djali i dajës, Jovan Lazaj, kanë qenë duke pirë gjatë gjithë ditës në fshatin Lubonjë, duke konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli.

Ata janë kthyer në banesën e Arjonit rreth orës 22:30, ku të ndikuar nga efekti i alkoolit, kanë filluar një grindje lidhur me faktin nëse do të qëndronin apo jo në shtëpinë e të riut. Për të zgjidhur sherrin ka ndërhyrë babai i 23-vjeçarit, por nuk ka shërbyer për asgjë, pasi djali i është kthyer duke bërtitur. Më pas, kur asgjë nuk është zgjidhur ai ka marrë një armë zjarri kallashnikov, duke qëlloi fillimisht mbi të ëmën duke e plagosur.

Në këtë kohë, personat e tjerë në vendngjarje kanë tentuar që të largohen, por ai ka zbrazur armën mbi ta duke lënë të vdekur të atin dhe shokun e tij, si dhe duke plagosur kushëririn. Trupat e tyre u gjetën nga policia të përmbysur pas plumbave që kishin marrë në kurriz, ku dhe kishin ndërruar jetë. Ndërkohë, fqinjë të familjes Lulaj kanë njoftuar policinë, që mbërriti në vendngjarje.


Arrestimi


Pas njoftimit të marrë nga ana e policisë se në lagjen "24 Maji" të qytetit të Vlorës, në vendin e quajtur Kanali i Motorit, ka pasur një plagosje me armë zjarri, menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policore, të cilat rrethuan zonën dhe banesën në të cilën ndodhi ngjarja.

Nga të dhënat e marra nga i plagosuri, u mësua se mund të bëhej fjalë për viktima të tjera dhe në këto kushte është mbajtur e rrethuar gjithë zona dhe në vendngjarje shkuan forca të specializuara për ndërhyrje, të pajisura me mjete mbrojtëse dhe ndriçuese, pasi zona dhe terreni ishin shumë të vështirë.

as rreth 1 ore u bë i mundur depërtimi në banesë dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Arjon Lulaj, vjeç 23, lindur në Lubonjë dhe banues në lagjen "24 Maji", i cili rezulton se është dhe autori i kësaj ngjarjeje tragjike, kur mbetën të vrarë dy persona. Por autori i ngjarjes, pas kryerjes së krimit e kishte hedhur armën dhe më pas ishte futur në shtëpi ku e kishte zënë gjumi. Në momentin që është kapur nga forcat e policisë ai vetëm ka mohuar gjithçka.

Ndërkohë, të plagosurit Sofie Lulaj, 45 vjeçe, e ëma e autorit, si dhe Jovan Lazaj, 27 vjeç, kushëri i tij janë dërguar për në spital për të marrë ndihmën e parë, ndërsa trupat e 51-vjeçarit Musa Lulaj dhe 28-vjeçarit Bledar Xhaferraj u dërguan për në morg.

Policia deklaroi se në banesë u gjet e u sekuestrua një armë kallashnikov me tytë metalike, 24 copë gëzhoja dhe një autoveturë e tipit "Benz" me targa VL 2142 C. Akuzat e ngritura ndaj Arjon Lulajt janë "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" dhe "armëmbajtje pa leje".


Uniformat e policisë, pjesëmarrës në operacionin e arrestimit, u shprehën se autori ishte në gjumë kur u kap


Autori: Nuk e kam vrarë unë babanë


Arjon Lulaj është ndaluar nga policia menjëherë pas ngjarjes. Burime nga vendngjarja shprehen se 23-vjeçari është gjetur në gjumë nga uniformat blu që kishin rrethuar shtëpinë. Në zgjim, teksa ka parë policë rrotull tij, i riu ka pyetur për atë çka ndodhur dhe ndërsa e kanë akuzuar për vrasjen e dy personave, mes të cilëve edhe i ati, ai ka mohuar gjithçka, duke u shprehur se nuk e ka kryer ai vrasjen.

Burime nga policia shprehen se më tej, teksa i kanë rrëfyer ngjarjen ai ka vijuar të mohojë duke u përlotur dhe duke u shprehur se nuk mbante mend asgjë nga ato që i thonin dhe se nuk ishte e mundur që ta kishte kryer ai një veprim të tillë. "Pasi ka zbrazur karikatorin, Arjoni ka lënë armën, është futur në shtëpi dhe ka fjetur, - shprehen burimet. - Ai u zgjua nga policia dhe mohoi se ishte autor i vrasjeve të kryera.

Por gjithçka tashmë është kopsitur. Arjon Lulaj rezulton si autor i vrasjes së dy personave, si dhe i plagosjes së dy të tjerëve dhe tashmë ai rrezikon 25 vjet deri në burgim të përjetshëm për krimin e kryer, - vijojnë burimet.

Nga ana tjetër, deri në orët e vona të mbrëmjes, 23-vjeçari nuk ka mundur që të japë një shpjegim tjetër lidhur me atë që ka ndodhur duke vazhduar të mohojë çdo përfshirje të tij në vrasjen e të atit dhe shokut të tij, si dhe në plagosjen e së ëmës, si dhe kushëririt.

Arjon Lulaj akuzohet për "vrasje të dy a më shumë personave", çka sipas Kodit Penal shqiptar nënkupton se ai rrezikon ta kalojë në burg pjesën tjetër të jetës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›