Dëshmia e nënës: Iu luta djalit të më vriste edhe mua
Nga krevati, nëna e 23-vjeçarit rrëfen çastet e tmerrit kur i biri i dehur i drejtoi armën asaj dhe të shoqit
Në krevatin e spitalit ku edhe ndodhet e shtruar, Sofie Lulaj duket se ende nuk e ka kuptuar se çka ndodhur. Teksa pyetet ajo rrëfen për ngjarjen e megjithatë nuk di të japë një shpjegim logjik për ngjarjen.
Si ndodhi ngjarja?
Ishim në shtëpi kur erdhi djali me shokun, si dhe kushëririn. Ata vinin nga fshati Picar dhe kishin pirë për disa orë e më pas janë kthyer në Vlorë, pasdite vonë.
Teksa ishin para shtëpisë filloi diskutimi që mysafirët të rrinin apo të iknin. Lindi një debat mes tyre dhe im shoq ndërhyri para djalit që të shuante sherrin. Por ai e largoi duke i thënë se nuk ishte punë e tij dhe më pas shkoi mori armën dhe qëlloi duke më plagosur mua e nipin, si dhe duke lënë të vdekur të atin, si dhe shokun e tij.
Ç'bëtë në atë moment?
Askush nuk pati kohë të reagonte, sepse ata ishin të dehur, ndërsa unë s'mund të bëja asgjë, sepse ai sapo hyri brenda filloi të qëllonte me breshëri. U shtrimë përtokë, por plumbat na zunë të gjithëve që ishim në banesë. Burri im si pasojë gjeti vdekjen. E tmerruar bërtita dhe rashë mbi burrin dhe i thashë djalit "Çfarë bëre?
Përse e bëre?". Ai nuk u ndje fare, por vetëm rrinte dhe shikonte i habitur pa folur, ndërsa armën e la në shesh. I thashë të më vriste edhe mua, mos të më linte gjallë, se babanë e vrau, shokun e vrau, por ai sërish s'foli, vetëm shikonte i heshtur. Ishte një moment i tmerrshëm. Breshëri, ulërima, njerëz të shtrirë dhe të mbuluar gjithë gjak. Nuk dija se çfarë po bëja, vetëm ulërija, derisa erdhi policia dhe komshinjtë që na morën e na sollën në spital.
A ka pasur konflikt më parë mes anëtarëve të familjes suaj?
Ne kemi qenë të varfër dhe të tillë jemi. Kemi vetëm një dhomë në të cilën jetojmë dhe atë e kemi ngritur me sakrifica të mëdha, sepse jemi pa punë.
Djali ka bërë kurse për hidraulik, por nuk ka gjetur punë. Ne jetojmë vetëm me ndihmën ekonomike. Por edhe pse të varfër, s'kemi pasur sherre në familje. Edhe me djalin kemi pasur marrëdhënie shumë të mira, nuk jemi grindur asnjëherë. Ai ka qenë djalë i urtë e i sjellshëm. Habitem nga veprimi i tij.
Si mendoni, përse ndodhi kjo tragjedi?
Nuk ka arsye. Gjithçka ka ndodhur për shkak të pijes. Mund të kishte bërë gjithçka, vetëm shokun mos të kishte vrarë. Atë e kemi shumë afër banesës sonë dhe ishte djalë shumë i mirë.
Ku e gjeti armën djali juaj?
Nuk e di, sepse nuk ia kishim parë asnjëherë armën dhe kur hyri në shtëpi u habitëm të gjithë e ngelëm të shtangur. Askujt nuk ia merrte mendja se mund të qëllonte njerëzit e shtëpisë. Por fatkeqësisht ndodhi ajo që s'duhet të kishte ndodhur.