Balliu, pranë firmës me Luftëtarin
Merkatoja e Luftëtarit po shkon drejt mbylljes, teksa bluzinjtë kanë ditur të afrojnë në skuadër lojtarë cilësorë si Toçi, Zharkalliu, Rrapaj, Basriu, Braho, Shkoza (lojtarë nën kontratë pas përfundimit të sezonit të kaluar) e Forgiç. Por me sa duket, fundin e merkatos e shënon ardhja e lojtarëve Donald Balliu dhe Alban Mullait. Luftëtari nuk do ta ketë më një problem organikën, pasi ekipi duket i konturuar tashmë. Vetëm pak kohë para testit të katërt të bluzinjve, nën drejtimin e Ilir Selimit, të mërkurën pasdite tek Luftëtari u shfaq mesfushori peqinas Donald Balliu. I ardhur në momentin e duhur, mesfushori 20–vjeçar u aktivizua nga kreu i pankinës gjirokastrite, Selimi, në radhët e formacionit të grupit të dytë. Pas testit, trajneri Selimi u shpreh: “Balliu është një lojtar i ri dhe si fillim, paraqitja e tij ishte e kënaqshme. Nuk mund të nxjerr një konkluzion përfundimtar për paraqitjen 90-minutëshe të futbollistit. Për këtë do të organizojmë nesër një ndeshje miqësore me Tepelenën, nga ku do të vendosen edhe pika mbi “i” për Balliun, por edhe për të tjerët”, ka thënë Selimi. T. Shehu