E Diel, 1 Nëntor 2026

Rushani, revoltë ndaj klubit fierak

Apolonia/ Mesfushori sqaron arsyen pse nuk e pranon penalizimin prej 2 mijë eurosh

Mesfushori Marsel Rushani është
larguar papritur e pakujtuar, ditën e djeshme nga kampingu i Pogradecit, aty ku Apolonia është duke zhvilluar fazën përgatitore. Kujtojmë që ky lojtar është ankuar në Komisionin e Disiplinës për një gjobë që i është vënë nga ana e drejtuesve, të cilën ai nuk e pranon. Bëhet e ditur se vendimi i Disiplinës për këtë çështje jepet pikërisht nesër. Rushani ka mbërritur dje në Fier, për të biseduar me drejtuesit e klubit në lidhje me këtë çështje. Motivi që e ka shtyrë atë për të kërkuar nga Komisioni i Disiplinës ta lerë të lirë është gjoba prej 2000 eurosh, e vënë nga drejtuesit fierakë për mosrealizim e objektivit të skuadrës në sezonin e kaluar. Për futbollistin, kjo gjobë ka qenë e papranueshme, pasi ai është aktivizuar në kampionatin e kaluar vetëm në 5 ndeshjet e fundit, që të mbledhura së bashku bëjnë 202 minuta dhe kjo pasi nuk ka pasur gjendje të mirë fizike. Vetëm në ndeshjen me Gramozin ai ka luajtur si titullar me minutazh të plotë, pasi në 4 ndeshjet e tjera ka luajtur si zëvendësues. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, mesfushori fierak sqaron se nuk është i gatshëm të shlyejë atë gjobë, pasi ai pretendon se nuk e meriton. “Po kërkoj të drejtën time. Nuk kam pse të gjobitem me një shumë të tillë, kur kam luajtur vetëm në pesë ndeshje nga 33 të tilla. Në të gjitha takimet ku unë jam aktivizuar, megjithëse vija pas një dëmtimi të rëndë, u mundova të jepja më të mirën e mundshme për skuadrën. Pikërisht këtu lind pyetja, me çfarë të drejtë më vendosin një gjobë e tillë, për mosimpenjim dhe mosarritje të synimit të ekipit?! Kjo më duket se është e tepruar ndaj dhe kam kërkuar që të më hiqet gjoba ose të lihem lojtar i lirë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë me shpresën se gjërat do të rregullohen, jam stërvitur me seriozitet dhe përkushtim maksimal me skuadrën si në Fier ashtu dhe në Pogradec, ku po zhvillojmë fazën përgatitore. Të them të drejtën kam një rritje të parametrave të mia personale në të gjitha drejtimet dhe kisha fituar besimin e trajnerit Gjoka dhe të pjesës tjetër të stafit teknik. Gjithsesi, kjo është një bisedë që do të vazhdojë, pasi më duhet të shoh se çdo të ndodhë në vijim”, - përfundon Rushani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›