E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi e Mërtiri duan largimin nga Lushnja

Te ekipi verdhejeshil duket se problemet nuk kanë fund

Ekipi i Lushnjës ka lënë dje qytetin dhe
është zhvendosur për të zhvilluar fazën përgatitore në Pogradec. Ndërkohë, mësohet se futbollisti Fation Topi, i cili vetëm një ditë më parë iu bashkua ekipit verdhejeshil duke firmosur edhe kontratën e tij, nuk ka pranuar të niset drejt Pogradecit. Madje, mesfushori Topi u ka kërkuar drejtuesve lushnjarë lejekalimin nga klubi verdhejeshil. Përveç tij, mësohet se edhe mbrojtësi Ilir Mërtiri duket se është në tratativa me një skuadër tjetër të Kategorisë së Parë. Edhe pse në dukje problemet po kalonin për lushnjarët, realisht ato nuk kanë të sosur. Mirëpo, klubi verdhejeshil ka reaguar duke thënë se të gjithë futbollistët, të cilët kanë kontrata me Lushnjën, në rast largimi duhet që më parë të shlyejnë detyrimet karshi klubit. Tek ekipi i Lushnjës vazhdojnë “firot”. Gjithashtu është larguar edhe portieri Parid Bërdufi, i cili edhe pse kishte mbi 4 javë që po stërvitej me të tijtë, duket se nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin e Lushnjës.
Merkato - Dje me ekipin lushnjar janë bashkuar dy gardianë, të cilët do të luftojnë për vendin e titullarit në portën lushnjare. Bëhet fjalë për Festim Mirakën, i cili sezonin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit të Luftëtarit dhe për Bahollin, i cili në sezonin që shkoi ka mbrojtur ngjyrat e Tomorit.
Gjithashtu, me ekipin dje në Pogradec është bashkuar edhe mesfushori Renato Sula, i cili ka firmosur një kontratë me lushnjarët, që e mban atë të lidhur për këtë sezon futbollistik. Nuk dihet ende nëse sulmuesi Allamani do të jetë apo jo pjesë e Lushnjës, sepse ai nuk iu është bashkua ekipit në udhëtimin drejt Pogradecit. Ndërkohë që Elmazi e Korreshi, të dy futbollistë të Apolonisë, kanë firmosur me Lushnjën e tashmë janë pjesë e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›