E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balliu tregon në Rumani “Elena Çausheskun” shqiptar

 

Tanimë historia e ish-Bllokut dhe gruas së diktatorit Hoxha bëhen të njohura edhe për lexuesin rumun. “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha” dhe “Panteoni i zi”, dy veprat e shkrimtarit Fahri Balliu janë përkthyer në gjuhën rumune dhe qysh në ditët e para të hedhjes së tij në treg, ka tërhequr vëmendjen e lexuesit. Vetëm pak ditë më parë “Zonja e zezë” (“Sinistra Doamna Hoxha”) pati promovim në kuadrin e Panarit e përvitshëm Ndërkombëtar të Librit “Gaudeamus”, ku ishte i pranishëm dhe vetë autori Fahri Balliu. “Botimin e këtij libri e konsideroj një ngjarje të shënuar për lexuesin rumun. Që kur shtëpia botuese “Humanitas” më njoftoi se në planin botues ishte ky libër, kam reaguar i ekzaltuar, i ngazëllyer. E dija ekzistencën e këtij libri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ngazëllova sepse, lexuesi rumun do të kuptojë më mirë dhe historinë e vendit të tij dhe rolin e Elena Çausheskut, gruas së diktatorit Nicolae Çausheku, në historinë moderne të Rumanisë. Enver Hoxha ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me jetëgjatësi të pakrahasueshme në Evropë, si ai i Koresë së Veriut. Në të gjitha veprimet e tij kishte pranë Nexhmijen, “shoqen e luftës dhe të jetës””, tha në fjalën e mbajtur gjatë promovimit të librit politologu i njohur rumuno-amerikan Profesor Vladimir Tismaneanu. Njohës i mirë i komunizmit dhe i filozofisë shkatërruese që ky sistem solli në vendet që e jetuan atë, Tismaneanu vazhdon më tej, duke e cilësuar librin e Balliut si skanerin më të mirë, që i është bërë ndonjëherë një personazhi, që ndihmoi në jetëgjatësinë e këtij sistemi siç ishte Nexhmije Hoxha duke bërë paralelizëm mes saj dhe Elena Çausheskut. Në shtypin rumun të javëve të fundit botimi i “Zonjës së zezë” ka ngjallur diskutime mbi raportet që vendet që jetuan komunizmin duhet të mbajnë me të shkuarën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›