E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri ditë aktivitete për Janis Ricos

 

Jo vetëm vargje, por edhe muzikë e pikturë. Ambasada greke në Tiranë dhe Fondacioni Grek i Kulturës, në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit organizojnë një aktivitet 3 ditor për 100-vjetorin e lindjes së poetit grek Janis Ricos. Kjo seri aktivitetesh, e cila tenton të ofrojë një panoramë të gjerë të veprës së këtij poeti, angazhon rreth 115 aktorë, muzikantë, piktorë, etj. Përkujtimi i Ricosit u hap dje në amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Ushtrisë, ku studiues grekë dhe shqiptarë folën mbi poezinë e tij. U lexua përshëndetja e së bijës së poetit, ndërsa aktoret Margarita Xhepa dhe Ema Andrea, në një sfond muzikor nga kuarteti “Promus”, interpretuan poezi të zgjedhura nga krijimtaria e tij. Ndërsa sot, në orën 18.00, në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve do të realizohet një shprehje figurative e veprës së Ricosit. Do të tentohet studimi i saj në koordinim me veprën e piktorit dhe skulptorit shqiptar, Gavril Priftuli. Studentë të Akademisë së Arteve, të frymëzuar nga vepra dhe stili i Ricosit kanë krijuar një seri punësh, që do të ekspozohen në Galerinë FAP. Ndërsa dita e tretë ka rezervuar një zbërthim muzikor të veprës së poetit grek Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë do të prezantojnë ciklin e këngëve “Epitafios”, me vargje të Ricosit dhe muzikë të kompozitorit të madh grek Mikis Theodhorakis. Këngët do të interpretohen nga sopranoja Vasiliki Maria Zaharopoulou. Për organizatorët dhe drejtuesit e institucioneve, që realizojnë këtë projekt, përkujtimi i këtij poeti është një rast shumë i mirë bashkëpunimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›