E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marinova, përkthyeses së Kadaresë i jepet medalje mirënjohjeje

26/05/2005  Përkthyesja e Kadaresë në gjuhën bullgare, Marina Marinova, do të nderohet sot nga Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, me urdhrin “Medalje mirënjohjeje”.

Në Muzeun Historik Kombëtar do të organizohet ceremonia e dekorimit, ku do t’i dorëzohet medalja me motivimin: “Për kontributin e shquar në njohjen e letërsisë shqipe në botë dhe punën e saj shumëvjeçare në dobi të kulturës shqiptare”.

Marina Marinova është marrë gjithnjë me përkthime nga shqipja në bullgarisht dhe anasjelltas, duke bërë njëkohësisht dhe ndërsjelljen kulturore ndërmjet dy vendeve. Përkthimet e saj kanë nisur qysh herët, duke përkthyer për herë të parë nga shqipja në gjuhën bullgare shkrimtarin tonë të njohur, Ismail Kadarenë.

Qysh në vitet ’70, kur kishte nisur njohja e veprës së Kadaresë nëpër Botë, me romanin e parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botuar më 1966, për të cilin Marinova bëhet kumbara e veprës në gjuhën bullgare.

Pas këtij momenti, Marinova përktheu pothuajse të gjithë veprat e Kadaresë të atyre viteve.

Në dhjetor të vitit 2004, shtëpia botuese në Bullgari “Ballkani”, botoi librin me studime kritike “Vallja në letërsinë ballkanike”. Në të, ndër të tjera pasqyrohen edhe veprat e Kadaresë, Lasgush Poradecit dhe Ernest Koliqit, në kuadrin e boshtit tematik.

Në këtë botim përfshihen dhe disa libra shqiptarë të përkthyer nga Marina Marinova.

Kjo njihet gjithashtu dhe si përkthyesja e prozës së Migjenit në gjuhën bullgare.

“Autorët shqiptarë zënë vend nderi në vargun e ‘Bibliotekës Ballkanike’ dhe në revistën ‘Ballkani Letrar’, që del paralelisht me librat. Menjëherë pas mbajtësve ballkanikë të çmimit Nobel, Ivo Andriç, Georgios Seferis dhe Odiseas Elitis, ne botuam Ismail Kadarenë, sepse shpresojmë se do të jetë Nobelisti tjetër nga Ballkani, siç po komentohet. Veç Kadaresë me ‘Eksil, ky humbës i madh’, në kuadrin e ‘Bibliotekës Ballkanike’ sapo doli nga shtypi libri i Besnik Mustafajit ‘Vera pa kthim’. Si botues më vjen mirë se tema shqiptare ngjall interes në opinionin publik intelektual, si në Bullgari, ashtu edhe në shtetet e tjera fqinje, edhe pse shkaqet e interesit nganjëherë janë të kundërta. Shkrimtarët shqiptarë në përkthim u japin mundësi auditorit të kulturës të informohet”, është shprehur për Radion bullgare, botuesi i “Ballkan”, Georgi Grozdevin. Sa i takon lidhjeve të përkthyeses Marina Marinova për letërsinë shqiptare, përmendet dhe fakti i përkthmit të plotë të veprës së Rexhep Qoses, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›