E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani goditet nga thatësira më e keqe në 40 vitet e fundit

Zjarri po shkatërron pyjet, lumenjtë janë shteruar, drithërat po thahen dhe furnizimi më energji elektrike po bie.

Pas dimrit më të ashpër në dekadat e fundit, rajoni i Ballkanit, sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press po përballet me verën më të nxehtë dhe thatësirën më të keqe, në pothuajse 40 vjet.

Temperaturat e larta që kanë thyer rekorde, kanë shkatërruar të mbjellat, perimet, pemët dhe prodhimi i energjisë është goditur po ashtu, shkruan AP.

Këtë vit, thuhet në artikull, fermerët e Ballkanit po i drejtohen qiellit për ndihmë. Në Prizren, lumi Bistrica është tharë pothuajse tërësisht.

“Në 73 vitet e mia nuk e mbaj mend nivelin kaq të pakët të ujit në lumë, dhe as këtë nxehtësi të egër”, thotë Abdyladi Krasniqi.

Ministri i Bujqësisë i Kroacisë Tihomir Jakovina, thotë se dëmet e këtij viti nga thatësia shkojnë nga 30-80 për qind, e diku edhe 100 për qind.

Në Serbi, Ministria e Bujqësisë tha se të korrat e misrit dhe të sojës, eksportet kryesore te vendit, do të përgjysmohen në krahasim me vitin e kaluar, duke shkaktuar humbje prej më shumë se 1 miliardë dollarë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Bosnje, ku thatësira ka shkatërruar pothuajse 70 për qind të perimeve dhe të misrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›