E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani, parajsa e humbur e gangsterëve

"Ballkani është një nga rajonet më të sigurta të botës"... Ky pohim mund të duket shumë surprizues, por i tillë është konkluzioni i raportit të fundit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (ONUDC), i publikuar të enjten. Ai që deri tani cilësohej si "fuçia e barutit e Evropës" duket sikur ka hyrë në një rreth vicioz, ku rritja e nivelit të jetës dhe ulja e kriminalitetit kombinohen me njëra-tjetrën. "Megjithëse Evropa Juglindore mbetet një nga rrugët kryesore të trafikut të heroinës dhe se disa vende të rajonit mbeten të gangrenizuara nga korrupsioni e krimi i organizuar, stereotipi i Ballkanit si parajsa e gangsterëve nuk përdoret më", shpjegon Antonio Maria Costa, drejtor i ONUDC-së.

Progres me hapa të vegjël

Duke kuptuar thelbin e këtij konkluzioni të ONUDC-së, krimi i organizuar nuk duhet konsideruar si trashëgimi apo zakon i vjetër i këtij rajoni, por fryt i tranzicionit postkomunist dhe konflikteve të njëpasnjëshme që shpërthyen nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Ngritja e nivelit të jetesës dhe hapja e kufijve në kuadrin e një perspektive të qartë integrimi evropian kontribuuan në reduktimin e "atraktivitetit ndaj aktiviteteve kriminale". Në këtë kuadër, p.sh., numri i armëve për banor në vitin 2007 ishte më i ulët në vendet e Evropës Juglindore se sa në vendet perëndimore të kontinentit. Vetëm 9% e bullgarëve kanë një armë kundrejt 69% të finlandezëve. Por, gjithsesi, kjo duhet marrë me rezerva, sepse statistikat bazohen në armët e deklaruara dhe të mbajtura brenda të gjitha rregullave e kërkesave të çdo vendi. Edhe numri i krimeve kundra personit apo pasurisë në rajonin e Ballkanit rezulton më i ulët se në pjesën tjetër të Evropës.

Por, megjithëse raporti evidenton përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes në Ballkan, përsëri ai nënvizon se progresi i kryer është modest dhe mjaft delikat. Ky progres nuk nënkupton faktin se rrjetet mafioze janë zhdukur si me magji. Një nga shkaqet strukturore të zvogëlimit të kriminalitetit, p.sh., konsiderohet faktori demografik: meshkujt e moshës 15-25 vjeç, që historikisht kanë përbërë një burim kryesor të kontingjenteve të rekrutuara me karakter kriminal, po emigrojnë në masë drejt Evropës Perëndimore për t‘u punësuar e jetuar atje. Sipas një eksperti të ONUCD, "në Evropën Perëndimore ka më shumë raste e mundësi për të fituar para, përfshi këtu edhe aktivitetet ilegale apo kriminale". Sot, p.sh., është më rentabël të vjedhësh vetura në Berlin, se sa në Beograd.

Trafiku njerëzor

Trafiku i drogës po zvogëlohet dhe aktualisht mafia shqiptare kontrollon vetëm 20% të tregut evropian, nga 70% që kontrollonte në vitin 2000. Por, nga ana tjetër, ajo që konstatohet është një rritje e trafikut të qenieve njerëzore, sidomos në fushën e shfrytëzimit e prostitucionit. ONUDC-ja është gjithashtu e shqetësuar për "lidhjet e vazhdueshme ndërmjet botës së biznesit, politikës dhe krimit të organizuar". Ky konstatim është relativisht i zbutur, por, gjithsesi, përmirësimet në këtë fushë janë të ndjeshme. Në mënyrë që kjo tendencë të vazhdojë, kërkohet të stimulohet futja e kapitaleve dhe investimeve të huaja në gjithë rajonin e Ballkanit. Një nga qëllimet e shprehura qartë të raportit të ONUDC-së është inkurajimi i investitorëve për të ardhur në Ballkan, si dhe nxitja e evropianëve, që të kujtohen se kontinenti i tyre nuk mbaron në kufijtë e Austrisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›