E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani për raportin: Shqipëria ka përparuar

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka deklaruar se treguesit e sigurisë në Shqipëri janë rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. "Ballkani është konsideruar si një zonë ku siguria është rritur, po ashtu edhe Shqipëria paraqitet si një vend ku treguesit e sigurisë janë rritur në mënyrë të ndjeshme, si ato në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve", theksoi Nishani. Sipas tij, Ministria e Brendshme e ka vlerësuar mjaft pozitiv raportin e fundit të Zyrës Kundër Krimit dhe Trafikut të Kombeve të Bashkuara. Në paraqitje grafike tregohet numri i vrasjeve, i cili konsiderohet si krimi më i rëndë, që është dy për 100 mijë banorë. Në vitin 2006 dhe në vitin 2007, ky indikator në vendet e BE-së është 2.5 vrasje për 100 mijë banorë. "Në Shqipërinë e viteve 2001 dhe 2003, ky indikator ishte 6 vrasje për 100 mijë, domethënë kemi arritur në shifra nën mesataren e BE-së. Po kështu, në këtë raport bëhet i njohur treguesi për vjedhjen e makinave. Kjo shifër ka pësuar ulje për Shqipërinë, duke lënë prapa edhe disa vende të BE-së, vetëm Ukraina dhe Rumania kanë treguesin më të vogël se sa Shqipëria", tha Nishani. Më tej, ministri i Brendshëm ka komentuar mbi heroinën e sekuestruar, sipas kilogramëve në 100 mijë banorë, i cili tha se duke iu referuar raportit kemi një shifër shumë të ulët dhe vetëm Kroacia është më mirë se sa Shqipëria. Ndërkohë, Nishani ka komentuar edhe mbi faktorë të tjerë të trafikut, ku, sipas tij, të gjithë këta faktorë flasin për një siguri dhe kontroll më të lartë. Madje, Nishani vlerësoi se në raport theksohet se ka mjaft për të mësuar nga eksperienca e Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›