Korçë, vapa shton të sëmurët e vegjël
Rritja e ndjeshme e temperaturave ka çuar në shtimin e rasteve të të sëmurëve që i drejtohen spitalit civil dhe urgjencës në Korçë. Të paktën 40 fëmijë qëndrojnë të shtruar në spitalin pediatrik çdo ditë. Të vegjlit shfaqin probleme me barkun e verës, humbjen e lëngjeve dhe temperaturë të lartë trupore. Mjekët e spitalit pediatrik kanë thënë se nuk mund të flitet ende për një virozë, por konfirmojnë se një numër i madh fëmijësh i drejtohen çdo ditë këtij spitali për vizita, ndërsa rastet më të rënda janë mbajtur për trajtim më të gjatë dhe të specializuar dhe qëndrojnë të shtruar në spital deri në përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Sipas shefi të shërbimit pediatrik në Korçë, Luan Belortaja, ka një shtim të ndjeshëm të pacientëve të vegjël të sëmurë në këtë periudhë. "Ka një fluks vizitash me ndryshimin e motit dhe rritjen e menjëhershme të temperaturave, por nuk mund të themi se ka një virozë", u shpreh ai, duke sqaruar se "këtu trajtohen të shtruar të paktën 40 fëmijë të mosha 1-6 vjeç, ndërsa brenda kësaj jave ka pasur vizita të shumta ditore". Kryesisht, fëmijët shfaqin probleme të barkut të verës, probleme gastrointestinale dhe dehidratim dhe në këtë rast rekomandohet përdorimi i lëngjeve dhe mbajtja e tyre sa më larg ambienteve ku mund të jenë lehtësisht të ekspozuar ndaj diellit dhe sidomos duhet të tregohet kujdes në oraret e pikut për t‘i mbajtur në ambiente të freskëta. Gjithashtu, duhet të kihet parasysh edhe ushqimi, i cili duhet të jetë i pastër dhe të përdoren sa më shumë lëngje që të shmanget dehidratimi", ka thënë Belortaja. Krahas fëmijëve që i janë drejtuar në këtë javë të nxehtë spitalit pediatrik, të shumtë kanë qenë edhe pacientët në moshë të rritur që kanë marrë ndihmë mjekësore pranë urgjencës së spitalit.