E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eko dhe pap-test për gratë e minatorëve të Bulqizës

Sapo ka përfunduar specializimin pranë maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" mjeku Fatos Hoxha. Ai do të përdorë ekon që iu dhurua spitalit të Bulqizës nga fondacioni "Fëmijët shqiptarë", si dhe do të realizojë për herë të parë pap-testin për gratë e kësaj zone. Drejtori i maternitetit, Halim Kosova, shprehet për "Shqip" se dhurata për bashkëshortet e minatorëve tashmë do të bëhet realitet. "Mjeku i Bulqizës u specializua këtu në maternitet dhe do të përdorë aparaturën e ekografisë. Njëkohësisht, ai është specializuar edhe për marrjen e materialit për analizën e pap-testit rezultatet e të cilit dalin në Tiranë", tha Kosova. Sipas tij, mjeku Hoxha do të jetë në shërbim të grave të minatorëve, por edhe të gjithë grave të tjera që kanë nevojë për shërbimin mjekësor gjinekologjik në rrethin e largët. Por vetëm rastet urgjente do të trajtohen në Bulqizë. Drejtori i maternitetit, Kosova, bëri të ditur do të nisë çdo javë një ekip të specializuar nga Tirana për të trajtuar rastet që kanë evidentuar mjekët e zonës për trajtim të mëtejshëm. Për sa u përket lindjeve, mjeku i Bulqizës, Hoxha, tha se "në sallën e lindjes së qytetit kryhen afro 120 lindje në vit, duke shtuar se ka rënë ndjeshëm numri i lindjeve. Ndërsa për gjithë rrethin numërohen afro 600 lindje në vit. Në spitalin e Bulqizës që aktualisht është në proces rikonstruksioni kryhen vetëm lindjet normale, ndërsa në rastet e komplikacioneve ato nisen për në maternitetin e Tiranës. Banorët e kësaj zone jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe pjesa më e madhe e familjeve mbahen me punën e rëndë të minatorëve. Statistikat e fundit evidentojnë një numër të madh aksidentesh në punë nëpër miniera. Ky ka qenë edhe shkaku i sensibilizimit të kryetares së fonacionit "Fëmijët shqiptarë", Liri Berisha dhe drejtorit të maternitetit, Halim Kosova, për t‘iu mundësuar kushte lehtësuese të trajtimit mjekësor bashkëshorteve të minatorëve. Fondacioni ka dhuruar një aparaturë ekografie një muaj më parë për spitalin e Bulqizës, por vetëm tani do të vihet në punë, pasi spitali nuk kishte mjekë specialistë për përdorimin e ekos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›