Hakmarrje në Tiranë, kapet i dyshuari i vrasjes së ‘97
TIRANE - Zbulohet autori i vrasjes së ndodhur për hakmarrje në vitin 1997 në Tiranë. Policia arrestoi të dyshuarin si autor i krimit i cili gjendej në banesën e tij në Bathore, periferi e kryeqytetit. Agim Sefa, 39 vjeç, banues në Babrru, është arrestuar nga komisariati nr.5, zyra e hetimit të vrasjeve dhe njësia operacionale, pasi akuzohet për vrasjen e Osman Markut. Krimi për të cilin akuzohet i dyshuari, sipas burimeve të policisë ka ndodhur më 26 korrik të vitit 1997, në Kodër Kamëz. Viktima në atë kohë, 59 vjeç, është qëlluar me breshëri nga një armë zjarri automatike. Shkak për krimin mësohet se kanë qenë hakmarrja nga autori i krimit tek një prej pjesëtarët e familjes së Osman Markut, i cili besohet se i kishte vrarë Sefës, vëllain. Që prej vitit 1997 policia kishte ruajtur vetëm provat e vendit të ngjarjes, disa gëzhoja dhe pak gjurmë të administruara nga ekspertët në vendin e ngjarjes. Autori i krimit, sipas burimeve të policisë ka qenë një nga të dyshuarit që prej vitit 1997 por dëshmitarët nuk ishin përkrah hetuesve për zbardhjen e ngjarjes, për shkak edhe të situatës së pasigurisë që ekzistonte në atë kohë. Kjo ka bërë që prej vitit 1997 ngjarja të mbetej pa autor. Në fillim të këtij viti, një prej dosjeve të pazbardhura ishte edhe vrasja e Osman Markut. Rihapja e dosjes ka sjellë prova të reja policisë, si dhe dëshmi të personave që në atë kohë sipas policisë nuk “kishin parë” autorin. Bindja e policisë mbi autorin e dyshuar të këtij krimi është shtuar pas një rrengu policor ndaj tij ku i dyshuari ka pranuar vrasjen. Deklarimet e të afërmve të viktimës i kanë vënë vulën hetimit të policisë. Ata kanë pranuar konfliktet dhe përplasjet e tyre me familjen Sefa. Hetimi i kryer nga prokuroria dhe policia ka zbardhur autorësinë e krimit, ndërsa është firmosur dhe arrestimi i 39-vjeçarit. d.b