E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushë-Krujë, të dënuarit “zot” të qelive, blindohet zona rreth burgut

 

TIRANE - Ka hyrë në ditën e dytë revolta e të dënuarve të sigurisë së lartë në burgun e Fushë-Krujës ndërsa mësohet se prej dy ditësh atyre u është ndërprerë ushqimi, uji, energjia elektrike dhe dalja në ajrim. Burime nga ky institucion ku ndodhen duke vuajtur dënimet rreth 240 të burgosur të sigurisë së lartë dhe të zakonshme, pohojnë se protestuesit ndodhen brenda sektorit të qelive duke mos lejuar policë të hyjnë në të, ndërsa gardianët, të ndihmuar nga grupet e gatshme të këtij burgu, kanë rrethuar zonën jashtë sektorit, duke iu ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me jashtë të dënuarve. Po kështu mësohet se të burgosurit kanë refuzuar negociatorët, të cilët u kanë ofruar zgjidhjen e disa kërkesave në këmbim të kthimit të qetësisë në institucion. Burgu i Fushë-Krujës është burgu më i ri në vend, në të cilin ndodhen mjaft të burgosur me dënime kapitale që nisin nga 20 vjet burg dhe shkojnë deri përjetë. Burime nga burgu pohuan se në revolta janë përfshirë; ish i forti i Vlorë në 1997, Gazmir Braka, i njohur si "Gaxhai", i dënuar përjetë; vëllezërit shkodranë Admir dhe Genci Tafili, të dënuar me nga 25 vite burg; Frederik Duda i dënuar me 16 vite burg, në procesin "Kokaina"; Pashk Lleshi, i dënuar përjetë, i arratisur nga burgu Burrel në mars të këtij viti; Elidon Kotorri, Lavdërim Tufa dhe Eduart Ymeri, i njohur si "Kartela", të dënuar përjetë. Kërkesat e të burgosurve janë mosmbyllja e dyerve të qelive gjatë ditës dhe zgjatja e orareve të ajrimit. Burime nga burgu pohojnë se Gaxhai dhe vëllezërit Tafili janë dhunuar nga policia, për shkak se qelia e tyre ndodhej në hyrje të sektorit, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, zyrtarisht e mohoi një fakt të tillë, ndërsa shtoi se nuk është ushtruar dhunë në këtë institucion.               fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›