E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trebicka mbushte armën nga makina”

 

Dashamir Biçaku

Gruaja e biznesmenit Kosta Trebicka, është pajtuar me versionin e fundit të nxjerrë nga prokuroria se i shoqi mbeti i vdekur për shkak të aksidentit automobilistik. Një ditë pas vdekjes së biznesmenit ajo është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Qarkut të Korçës duke hedhur dritë mbi disa fakte, të cilat përputhen me raportin e hartuar nga eksperti amerikan, Kevin Teter, për mënyrën si ndodhi aksidenti. Burime të policisë pohuan dje për gazetën “Panorama”, se bashkëshortja e Kosta Trebickës sapo është njohur me konkluzionet e para të aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Voskopojë-Lekas, ka mbetur e bindur se hetimi do të zbardhte gjithçka kishte ndodhur. Brunilda Trebicka është pyetur për herë të dytë nga prokurori i çështjes, i cili është interesuar të mësojë fakte shtesë rreth ngjarjes. Në një pjesë të dëshmisë së saj, gruaja ashtu sikurse disa dëshmitarë të tjerë, konfirmojnë skenën e ngjarjes siç është përshkruar nga eksperti amerikan. “Bashkëshortja e biznesmenit është shprehur se Kosta Trebicka në mënyrë të vazhdueshme, kur shkonte për gjah mbushte armën e gjahut, njëkohësisht kur automjeti i tij ishte në lëvizje duke lënë qenin në tokë që të përgjonte praninë e zogjve”, mësohet të ketë dëshmuar gruaja. Sipas saj, ndërkohë që mbushte armën, biznesmeni drejtonte edhe mjetin duke ndjekur qenin e gjahut e duke ndaluar më pas për të dalë nga makina. Një lëvizje të tillë, Kosta Trebicka besohet se mund të ketë qenë duke kryer edhe në momentin e aksidentit. Burimet pohojnë se bashkëshortja e dëshmitarit të dosjes “Gërdeci”, pasi është njohur me tërësinë e veprimeve të kryera nga hetuesit e policisë së Korçës dhe dinamikën e lëvizjeve të kryera nga automjeti i bashkëshortit të saj, ka shprehur besimin e saj tek hetimet. Argumentimi i specialistëve të policisë se ngjarja e datës 12 shtator, në orën 13:50 ishte një pakujdesi në drejtimin e mjetit dhe humbje e vëmendjes, kanë bërë që gruaja të jetë e një mendjeje me hetuesit. Madje, një fakt të tillë ajo e ka përmendur edhe me të afërmit e saj familjarë, duke pohuar se ishte e bindur për një fakt të tillë. Brunila Trebicka ka sqaruar edhe mekanizmin se si bashkëshorti i saj, vepronte në rastet kur shkonte për gjueti. Gjithsesi gruaja, dëshmitarja gjatë komunikimeve me prokurorët dhe hetuesit e aksidentit, u ka kërkuar atyre një kopje të aktit të ekspertimit të kryer nga specialistët. Aktit të ekspertimit të ekspertëve pritet t’iu bashkëngjitet edhe një raport i hollësishëm mbi dinamikën e aksidentit, si dhe kinematikën (lëvizjen) e mjetit, para hyrjes në aksident gjatë aksidentit dhe pas tij. Të gjitha këto detaje, pasi prokuroria t’i ketë regjistruar në dosjen e saj, mund t’i shkojnë në dispozicion me nga një kopje edhe Brunila Trebickës, pas një kërkese verbale të saj për prokurorët e çështjes.

Eksperti i SHBA: Aksidenti nga kthesa

TIRANE – Një kthesë e fortë në të majtë ka qenë shkaku i përmbysjes së makinës së Kosta Trebickës. Sipas raportit që hartoi eksperti amerikan Kevin Teter, makina doli nga rruga në të majtë pas një kthese të menjëhershme, çka u bë shkak për ngritjen e saj pasi goma hipi në kodër ndërsa pesha e makinës u përqendrua në të djathtë përpara duke u bërë shkak për përmbysjen e makinës. Eksperti amerikan mendon se makina u batua mbi kufomën e biznesmenit, u rrotullua dhe më pas doli në lëndinë duke ecur indietro në dishezë për 40 metra deri në vendin, ku u gjet nga dëshmitarët dhe policia pas zbulimit të kufomës së Kosta Trebickës, më 12 shtator të këtij viti. Një variant i tillë i kthesës së menjëhershme mbështetet në dyshimet se Trebicka ka qenë duke ndjekur gjahun, duke mbushur armën apo duke u kujdesur të mos dëmtonte qenin e gjahut, që besohet se po ecte para makinës fare pranë saj.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›