E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trafikanti, arsenal armësh nga Kosova në makinën e të vëllait”

 

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale të koduar me emrin “Morina”, e cila bën fjalë për trafikimin e 74 pistoletave nga Kosova në Shqipëri. Mehmet Zharku është personi i pandehur i akuzës, i cili është dërguar në gjykim për veprën penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake”. Ai u arrestua bashkë me vëllain e tij pesë muaj më parë në Tiranë, në afërsi të Medresesë ku ishte lënë vendtakimi me personat, që do të blinin ngarkesën e armëve të mbërritur nga Kosova. Policia arrestoi vëllezërit nga Kukësi Mehmet dhe Halit Zharku, mbrëmjen e 1 majit 2008. Ky i fundit që në fillim mohoi akuzën dhe tha se, nuk kishte asnjë dijeni për armët që ishin gjetur të fshehura në makinën e tij. Prokuroria fillimisht nuk i besoi këto thënie, por më pas arriti në përfundimin se i arrestuari nuk ka pasur vërtet dijeni për armët që u gjetën në makinën e tij. Sipas hetimeve, ngarkesa e pistoletave të lëndëve luftarake ishte vendosur në makinën e Halit Zharkut nga vëllai i tij, i cili nuk kishte treguar asgjë për veprimet e tij. Në këtë mënyrë dy vëllezërit kanë udhëtuar “për një punë” drejt Tiranës ku ranë në pranga në afërsi të Medresesë. Pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rezultoi se armët ishin blerë në Kosovë nga Mehmet Zharku, 33 vjeç. “Ai kishte blerë me qëllim për t’i trafikuar në Shqipëri, 50 pistoleta “Minizastava”, 24 copë pistoleta “Bereta”, 1 granatë hedhës, 6 predha kundra tanke, 120 granata dore, 120 ndezës granatash dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme, me qëllim trafikimin e tyre në drejtim të Shqipërisë ku kishte marrë një porosi nga persona të interesuar për blerjen e tyre”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, Mehmet Zharku është dërguar në gjykatë si i akuzuari i vetëm i kësaj dosjeje penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›