E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça me Sheshin e Mandollës

Korça do të ketë një shesh mandoline. Nuk do të jetë një shesh, ku do të mblidhen "serenatistë" për të kënduar me mandolina, por një shesh me formën e këtij instrumenti muzikor, që simbolizon qytetin juglindor të vendit. Ideja për të pasur një shesh mandoline, ku në qendër të jetë e pozicionuar, nëpërmjet ndërtimit të segmenteve, forma e kësaj vegle muzikore, ka ardhur nga një fragment i zonës pedonale të paraqitur me projekte pak kohë më parë. Projekti është paraqitur për diskutim në KRRT-në e bashkisë, ku specialistë të ndryshëm kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me mënyrën se si do të jetë funksional ky shesh, në bazë të projektidesë së paraqitur dhe propozuar nga një studio projektimi. Ky shesh, që do të ketë simbolikën e veçantë të qytetit, në qendër të tij, është në vijimësi të zonës pedonale që shtrihet nga katedralja deri te sheshi përballë teatrit "Çajupi". Pikërisht këtu është projektuar të vendoset edhe ndërtimi për të pasur edhe nga ana estetike një shesh të mirorganizuar, ku në plan të parë do t‘u jepet më shumë përparësi këmbësorëve. Sipas projektit është parashikuar që vendi i mandolinës të ketë garazhe nëntokësore. E nëndheshmja e këtij sheshi është parashikuar për ndërtimin e parkimit të madh nëntokësor me një kapacitet prej 70 vendesh për parkimin e mjeteve. Sheshi i mandolinës, që është projektuar të jetë sheshi përballë teatrit, rrethohet nga ndërtesa karakteristike trekatëshe. Në mbledhjen e KRRT-së janë paraqitur edhe perspektivat, ndërsa ka pasur edhe diskutime rreth këtij projekti lidhur me zbatimin faktik të tij në terren për t‘u lënë edhe frymëmarrjen e duhur trotuareve dhe ndërtesave anësore. "Jemi para faktit se do të ketë një zonë këmbësore me dy sheshe, në fillim dhe në fund të saj, me shtrirje nga sheshi para katedrales deri te teatri. Ky projekt vjen për të zgjidhur edhe problemet e deritanishme, për të mos pasur sheshe nga ana estetike të paorganizuara. Ky projekt ka një simbolikë të fortë, jo vetëm si shesh, por edhe si vepër arti në formën e mandolinës që përfaqëson serenatën dhe korin njëshekullor "Lira", është shprehur kryetari Niko Peleshi. Projekti është miratuar nga ana e KRRT-së bashkiake, me kushtin që të studiohen edhe një herë situatat e distancës nga ndërtimet, si dhe nyja e lëvizjes së mjeteve. Sipas projektuesit me ndërtimin e një sheshi të tillë në vijimësi të zonës pedonale jo vetëm që ka një përfaqësim të qytetit nëpërmjet idesë se në qendrën e tij do të jetë forma e mandolinës, por, nga ana tjetër, do të theksojë atë se qyteti është i qytetarëve dhe i këmbësorëve, ku mbizotëron njeriu. Specialistët kanë dhënë mendimet e tyre për këtë projektide, që pritet të nisë nga zbatimi vitin e ardhshëm, bashkë me zonën pedonale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›