E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisen drejt spitalit tre grevistë

Autori i Lajmit: Redaksia

Një tjetër grevist i Partisë Socialiste ka ndërprerë grevën dje për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, grevisti Fatmir Kalemaj, mbi 50 vjeç, nga qyteti i Patosit. Kalemaj u dërgua me urgjencë në spital pas komplikacioneve që pati me tensionin nga mungesa e ushqimit. Kalemaj është grevisti i 24-t që ndërpret grevën për këto arsye. Ai hyri në grevë në 30 prill së bashku me 22 deputetët të PS dhe 200 mbështetës të protestave të PS. Ndërkohë që në orët e paradites së djeshme grevistët Artmir Ahmetaj dhe Astrit Agjami janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Artmir Ahmetaj është transportuar me barrelë për në ambulancë. 22- vjeçari ka pasur probleme me stomakun. Astrit Agjami nga qyteti i Kukësit është transportuar me ambulancë drejt spitalit rreth orës 02.00 të mëngjesit të djeshëm. Ky i fundit ka pasur probleme me tensionin dhe stomakun. Në ditën e 11-të të grevës së urisë janë detyruar ta ndërpresin atë dhe ti nënshtrohen kontrollit mjekësor në spital.

Deputeti Dogjani shtrohet në spital
Brokaj: “Punojmë me vetëmohim”
Është rënduar shëndeti i deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani, një nga 21 deputetët e PS-së të cilët, që prej mbrëmjes së 30 prillit kanë hyrë në grevë urie në çadrat para godinës së Kryeministrisë. Rreth orës 12. 20 minuta së ditës së djeshme deputeti është larguar me ambulancë nga kampi për tiu nënshtruar kontrollit mjekësor në QSUT. Ai është përcjellë ashtu si çdo grevist tjetër me duartrokitje. "U largua nga problemet kardiake, ndryshe nga të gjithë grevistët e tjerë që kanë pasur komplikacione në stomak", - ka informuar zyra e shtypit pranë PS-së. Mjeku Sabit Brokaj, i cili kujdeset për grevistët, tha se deputeti kishte luhatje tensioni dhe shqetësime të tjera. Brokaj replikoi dhe ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili një ditë më parë i cilësoi mjekë militantë dhe i bëri thirrje kundërshtarit politik të mos pengonte mjekët të hynin në grevë urie. “Ekipi mjekësor punon me vetëmohim dhe po zbaton betimin e Hipokratit”,- tha Brokaj, duke kujtuar dhe të drejtën tjetër ndërkombëtare se “pacienti ka të drejtën e tij të zgjedhë mjek këdo dhe detyra e tyre ishte ti shërbenin kujto pacienti”. Brokaj tha se po këshillonte disa grevistë të ndërpresin grevën, por nuk dha emra konkretë.

Ky lajm është publikuar: 12/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›