Ballsh, vijon kaosi në spital, rritet numri i të prekurve

HELMIMI/Numrit të banorëve të Ballshit i është shtuar edhe ai i disa fshatrave të zonës, ndërsa dyshohet se një nga shkaqet mund të jetë edhe mielli i bukës, pasi këto zona nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit
Spitali i Ballshit edhe dje përjetoi një nga ditët më të vështira të tij. Qindra qytetarë jo vetëm të Ballshit, por edhe të fshatrave përreth kanë shkuar me urgjencë në spital.
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, përmes një konference për shtyp njoftoi se ishin rreth 200 vetë që morën mjekim për shkak të helmimit. Gjendja paraditen e së martës ishte kaotike. Të gjitha dhomat e shtrimit ishin të tejmbushura.
Në shtratin e tyre qëndronin dy ose tre pjesëtarë të së njëjtës familje, të cilët kërkonin ndërhyrjen e mjekëve. Klodian Skënderaj është me familjen. Sipas tij, helmimi u ka ardhur për shkak të ujit të pijshëm.
Rajmonda Iljazi, edhe ajo e shtruar thotë të njëjtën gjë. Ethem Bajramaj, i shtruar mëngjesin e së martës thotë se ka dhimbje barku dhe të vjella. Ndërsa një banor nga Kashi, Skënder Taullau, thotë se ujësjellësi i Kashit është në gjendje shumë të keqe. Vetëm nga ky fshat në spital kanë mbërritur 10 banorë, të gjithë të shtruar.
Ai shprehet se klorinimi nuk bëhet fare në depon e ujit. Ndërsa një banor nga Ballshi, B.Muçaj që ka punuar në ujësjellës për shumë vite dhe tani është në pension, shprehet se shtrimin në spital e kishte nga uji i pijshëm.
Ai tregon se në darkë kishte ngrënë bukë dhe më pas ka pirë uji. "Pa kaluar 30 minuta ndjeva një dhimbje në bark. Thashë se vdiqa. Kam vjellë dhe kam pasur edhe bark. M'u bllokua frymëmarrja. Jam i sigurt që ky helmim është nga uji i pijshëm, - shprehet Muçaj.
Kaosi
Bluzat e bardha shprehen se ishte e pamundur që të gjithë të mbërriturit të vizitoheshin. Kërkesat për serum ishin të shumta. Të hënën dhe të martën mësohet të jenë dhënë serum mbi 250 shishe plastike. Sipas infermieres që ndodhej në sallën e urgjencës, numri i tyre ka kaluar në 300 serume.
Drejtoresha e këtij spitali, Luljeta Bregasi, shpjegon se kjo dyndje ka ardhur si pasojë e helmimit nga shkaqe ende të papërcaktuara zyrtarisht. Gjithsesi ajo shton se pacientëve me simptomat e helmimit u është thënë të shkojnë në Fier pasi fluksi ishte i pamundur të përballohej nga personeli i Ballshit.
Sipas saj, në dizpozicion të personave me probleme janë vënë ambulancat. Por ka pasur edhe kontradikta me të sëmurët të cilët nuk kanë pranuar të shkojnë deri në spitalin e Fierit, duke shkaktuar kaos.
Në Ballsh të gjitha dhomat e spitalit janë të mbushura, ndërsa në korridore qëndrojnë ende të sëmurë që kërkojnë ndihmën mjekësore. Pacientët e shtruar janë të moshave të ndryshme. Aty ndodhen gra, të moshuar, të rinj dhe fëmijë, këta të fundit të moshës 5 - 13 vjeç.
Numri i tyre është i paktë, por ata që dominojnë janë të rriturit, të cilët tregojnë të njëjtën skenë: disa orë pas pirjes së ujit kanë ndier dhimbje në bark dhe më pas të vjella. Ka edhe nga ata që kanë ardhur për së dyti në spital. Ata kanë marrë njëherë serumin, por gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar.
Në spital kanë mbërritur edhe nga drejtoria e higjenës shëndetësore për të marrë kampione të sëmurëve për t'i analizuar. Luljeta Bregasi, drejtoresha e këtij spitali, është shprehur se janë marrë kampione uji nga depot dhe çezmat e qytetarëve për të përcaktuar shkaktarin e këtij helmimi masiv që, sipas saj, nuk është shumë problematik.
Ujësjellësi
Drejtori i Ujësjellësit Ballsh, Shyqo Metaj, përveç ujit të pijshëm hedh pista për helmime edhe të ushqimit dhe miellit të bukës duke u justifikuar se depot e ujit janë klorinuar.
Sipas Metajt, dy ditët e fundit në spitalin e Ballshit kanë ardhur për t'u vizituar si rezultat i helmimit qytetar, ku shumica janë të Ballshit, por ka edhe banorë të fshatrave përreth, si: Kalenja, Panahori, Kashi, Hekali, Aranitasi dhe nga fshati Lofkënd, kurse dje në spital janë shtruar edhe nga fshati Drenovë.
Sipas tij, Ballshi furnizohet me ujë nga tre depo të pajisura me bazë materiale siç është klori, me të cilën bëhet dezinfektimi i ujit. Analizat bëhen një herë në 15 ditë. Kampionet merren nga qendra shëndetësore Mallakastër, e cila i çon në Fier analizat ku më pas kthehet përgjigjja zyrtare. Deri më sot, sipas drejtorit, këto analiza tregojnë që nuk ka pasur asnjë problem.
Lidhur me arsyet e këtij helmimi ai është shprehur se është konsultuar edhe me mjekë, me drejtorinë e shëndetit publik, drejtorinë e spitalit, ka dhënë edhe mendimin që sipas tij mund të jenë nga ushqimet e helmuara dhe padyshim edhe nga uji i pijshëm, nga burimet hidrike, të cilat mund të kenë qenë shpërthime të momentit të bakterieve që mund të kenë qenë në tubacionet e vjetra të ujit të pijshëm dhe ata njerëz që kanë pirë ujë në moment nga ky infeksion nga kanë marrë virusin dhe po mjekohen.
Ndërkohë ai nuk përjashton mundësinë që helmimi mund të ketë ardhur edhe nga mielli i bukës, pasi në spitalin e Ballshit dhe të Fierit ka edhe banorë që janë shtruar që nuk furnizohen me ujë të pijshëm nga qyteti i Ballshit nga Poçemi. Gjithsesi, këto janë supozime, - shprehet ai, - por duhen pritur analizat e ujit të pijshëm që janë dërguar në Tiranë dhe për këtë duhet tri ditë kohë.
Gjithashtu ai shpjegon edhe ardhjen e ujit të pijshëm në Ballsh. Sipas tij uji blihet nga kompania "Armo", që furnizon depon e ujit të Kashit dhe depot e tjera . Prej Poçemit vendburimit deri në Kash investimet e këtyre tubacioneve i bën kompania "Taçi Oil" që ka një vit që ka privatizuar edhe këtë ujë. Ndërsa përsa i përket investimeve për rrjetin e brendshëm në Ballsh, nuk është investuar në ujësjellës qysh prej vitit 1973.
Drejtori i Qendrës Shëndetësore akuzon mjekët: Nuk mjekojnë. Është thjesht virozë
Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Ballsh, Qemal Shehu, shprehet se kjo gjendje është shumë e fryrë. Sipas tij, të sëmurët nuk marrin mjekimin e duhur. "Gabimi është i mjekëve të këtij spitali, - thotë ai. - Të sëmurëve u jepet një perfusion, por duhet marrë edhe një mjekim.
Duhet marrë mjekim i plotë, dhe jo të kthehet pacienti përsëri në spital të marrë ujë me sheqer ose me kripë". Ndërkohë, lidhur me numrin e të shtruarve në spital, pavarësisht se është vetëm 20 metra larg qendrës që ai drejton, Shehu thotë se nuk e ka informuar njeri.
Depot e ujit, pranë puseve të naftës
Në depon e ujit të Kashit instalimi i pompave të ujit që tërheqin ujin e pijshëm nga tubacionet që vijnë nga Poçemi është tepër alarmante. Një pjesë e kësaj godine është e rrëzuar si rezultat i rrëshqitjes së dheut, ndërsa depoja është vetëm 30 metra larg një pusi nafte. Shumë banorë janë shprehur se një pjesë derdhjeve të hidrokarbureve shkon te depoja e ujit me vetë rrjedhje.
Sipas tyre, kjo duket qartë në çezmat e shtëpive. Kjo depo furnizon me ujë të pijshëm Kashin, Usojën dhe Kalenjën, ndërsa banorë të këtyre fshatrave janë shtruar në spitalin e Ballshit si rezultat i helmimit. Ndërsa 50 metra larg në një kodër ndodhet depoja që furnizon qytetin e Ballshit dhe Uzinën e përpunimit të Thellë të Naftës.
Punonjësi që punon aty, Zenel Hodaj, shprehet se nuk ekziston mundësia e ndonjë infeksioni. "Unë pi vetë ujë këtu dhe e çoj edhe në familje, por nuk më ka ndodhur gjë. Kjo mund të vijë nga tubacionet brenda qytetit, pasi ka raste që uji ndërpritet dhe më pas kur ai vjen, sjell edhe turbullira të ndryshme marrë rrugës kjo edhe për faktin se mund të ketë edhe të çara në tubacione për shkak të amortizimit", - pohon ky punonjës.
Shefi i komisariatit të Ballshit për situatën
Sipas shefit të komisariatit të Policisë së Mallakastrës, Hasan Hasani, janë marrë të gjitha masat dhe janë vendosur roje në depot kryesore të ujit që furnizojnë Ballshin deri në zgjidhjen e situatës.
Ndërkohë, janë bërë këqyrje të vendit të ngjarjes nga krimet e rënda të Drejtorisë së policisë Fier ku prej specialistëve të kësaj dege janë marrë kampione nga depot e ujit në çdo gjysmë ore, por përgjigjet do të merren nga Tirana kur të përfundojnë analizat.
Sipas Hasanit, janë thirrur edhe drejtues të ujësjellësit dhe të tjerë punonjës që merren me problemin e ujit ndërkohë që ka kontakte edhe me personelin e spitalit për ta pasur situatën në dorë. Janë marrë masa që rrugët që të çojnë në spital të kontrollohen nga policia rrugore për të lehtësuar trafikun e këtyre mjeteve që vijnë me urgjencë në spital.
Ministria e Shëndetësisë: 200 vetë morën mjekim
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, përmes një konference për shtyp ka sqaruar opinionin publik në lidhje me gjendjen shëndetësore të banorëve të Ballshit që janë prekur ditët e fundit nga një shpërthim i kufizuar me gastroenterite.
Sipas Piperos, në qytetin e Ballshit ka pasur një shpërthim të kufizuar me gastrointerite (sëmundje, e cila kryesisht shkaktohet nga marrja e ushqimeve apo edhe e ujit të kontaminuar). Shpërthimi, sipas drejtorit Pipero, ka qenë i kufizuar vetëm në qytet, ndërsa numri i rasteve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë relativisht i madh nëse do të kemi parasysh popullsinë e qytetit te Ballshit.
"Gjendja që kemi gjetur në Spitalin e Ballshit ka qenë relativisht e qetë. Në spital ishin të shtruar 12 raste pa përmendur numrin e personave rreth 10 - 12 të tjerë që po merrnin ndihmën mjekësore. Rastet e paraqitura, pa përjashtim ishin forma të një gastrointeriti të lehtë deri të mesëm me disa manifestime diarreike apo të vjella dy tri herë gjithsej", tha Pipero, ndërkohë që u shpreh se po priten përgjigjet e analizave për të dhënë më tepër detaje lidhur me shkaqet e helmimit. Sipas tij, numri total i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda 2-3 ditëve ka qenë rreth 200.