E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret në shkollë vajzën që do, më pas vret veten

Ngjarja ndodhi në shkollën "Mahir Domi" mes orëve të mësimit. Endrit Llambro nga Vlora hyri në klasë dhe qëlloi me armë në kokë dhe në trup vajzën me të cilën kishte qenë i lidhur


ELBASAN - Një maturante është vrarë në klasë nga një i ri në qytetin e Elbasanit, ndërsa më pas autori ka vrarë edhe veten. Gerta Bahja, 20 vjeç, me banim në lagjen "Haxhias" të qytetit të Elbasanit, është qëlluar tri herë nga Endrit Jorgji Llambro, banues në lagjen "24 Maji" në Vlorë rreth orës 8:50 në klasë në katin e dytë të shkollës "Mahir Domi" në qytetin e Elbasanit. I riu që kishte pasur një lidhje në largësi me vajzën pas një njohjeje një vit më parë, kishte hasur në refuzimin e familjes së vajzës e më pas edhe të asaj vetë, pasi kjo e fundit ishte fejuar me një emigrant.


Si rrjedhojë, i riu që prej pak kohësh jetonte në Tiranë me njërën nga motrat e veta, ka mbërritur në Elbasan i armatosur dhe dy ditët e fundit ka kërkuar në shkollë vajzën me të cilën ishte i dashuruar. Ndërsa ditën e hënë 20-vjeçarja Gerta Bahja nuk kishte shkuar në shkollë, dje autori ka realizuar krimin e paramenduar. Nga dëshmitë dyshohet se i riu kishte konsumuar drogë para kryerjes së krimit.


Ngjarja


Sipas të dhënave, Endrit Llambro është ngjitur nga hekurat e shkollës, ka hyrë në klasën ku qëndronte vajza dhe aty ka nxjerrë nga brezi pistoletën. Në një pakujdesi atij i ka rënë krehëri dhe arma është hapur, por shumë shpejt e ka kontrolluar situatën duke e goditur vajzën me pjesën e armës.


Pasi ka vënë krëhërin, ai e ka shtrirë poshtë dhe ka qëlluar një herë. Më pas janë dëgjuar edhe dy të shtëna të tjera. Nxënësit të tmerruar janë futur në klasat e tjera, ndërsa 19-vjeçari është larguar.


Tek dera i ka nxjerrë armën rojes dhe është larguar me shpejtësi duke kaluar përmes parkut "Rinia", afër stadiumit dhe përmes Rrugës së Kinezëve. Kur ka vënë re se po ndiqej nga policia, i riu ka kaluar përmes shinave të trenit në fushën para varrezave të qytetit në vendin e quajtur Belebej. Nga dëshmitë e banorëve ai ka qëlluar një herë në drejtim të policisë dhe më pas ka vrarë veten.


Për të dy të rinjtë nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Vajza ka gjetur vdekjen menjëherë prej dy plumbave, një në kokë dhe një në trup dhe po ashtu ka gjetur vdekjen i riu nga plumbi i marrë në kokë. Kështu është mbyllur edhe ngjarja e rëndë që ka tronditur një qytet të tërë.


Babai i 20-vjeçares, i shoqëruar nga vëllai i madh vajzës kanë qenë të parët që kanë mbërritur në shkollën ku është regjistruar krimi. Ata kanë mësuar vdekjen e vajzës së re që humbi jetën nga dy plumba në klasën e saj. Tronditja për familjen, mësuesit, nxënësit, banorët përreth e drejtues të institucioneve lokale dhe arsimore që kanë mbërritur në shkollën ku u regjistrua ngjarja, ka qenë shumë e madhe.


Ministri i Arsimit: Shkolla ku ndodhi vrasja, më e sigurta


Drejtues të policisë, kreu i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, drejtues të Drejtorisë Arsimore kanë mbërritur në shkollën "Mahir Domi" ku edhe u regjistrua ngjarja.


Në Elbasan ka mbërritur edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ministri mbërriti me urgjencë dhe mori informacione mbi këtë ngjarje dhe konkluzionet e hetimeve paraprake nëpërmjet takimit me nëndrejtorin e policisë Ismail Elezi. Pasi ka zhvilluar një takim me drejtuesit e shkollës dhe personelin mësimor, Tafaj në një prononcim i dërgoi ngushëllimet e tij familjes së vajzës dhe të afërmve të saj.


"Takuam mësuesin dhe shprehim dhimbjen tonë për një maturante të kësaj shkolle që humbi jetën dhe përcjellim ngushëllimin tonë për familjen e saj. Biseduam me mësuesit e kësaj shkolle për përballimin e kësaj situate. Është një situatë që prek edhe nxënësit e tjerë. Sidomos nxënësit që e kanë parë ngjarjen. Po bashkëpunojmë me drejtorinë e shkollës dhe me drejtorinë arsimore të rrethit për të hartuar një program për të mbështetur nxënësit për ta kaluar këtë periudhë aq më tepër kur është një periudhë e vështirë të cilën do të duhet ta kalojnë përballë provimeve të maturës.


Do të angazhojmë të gjithë psikologët që kemi në drejtorinë arsimore që të punojnë intensivisht me klasat, por edhe me nxënës të veçantë në varësi të shkallës së traumatizmit që kanë pësuar".


Ndërkohë, në lidhje me garantimim e sigurisë së shkollës, ministri tha se kjo është shkolla më e mirë e përcaktuar nga autoritetet lokale të Elbasanit dhe shkolla më e rregullt që asnjëherë nuk ka pasur probleme. "Ka qenë një djalë i ri që ka qenë e vështirë për t'u dalluar nga maturantët e tjerë.


Se si ka arritur të futet në shkollë dhe detaje të tjera janë gjëra që do të kërkohen dhe do të zbardhet e gjithë ngjarja". Pyetjes nëse ka një marrëveshje me policinë për ruajtjen sidomos të shkollave të mesme, ministri Tafaj iu përgjigj se policia e shtetit ka nën kontroll të gjitha gjimnazet e Shqipërisë.


Ndërsa drejtoresha e Arsimit, Mimoza Matraxhiu, tha se kjo është një ngjarje e rëndë që trondit të gjithë nxënësit e mësuesit pasi është regjistruar një krim. Matraxhiu theksoi se për sqarimet e mëtejshme do të merret policia.

REFUZIMI
Njohja e Gertës me Endritin, një vit më parë


Janë nxënësit që tregojnë për historinë e njohjes së vajzës me djalin nga Vlora një vit më të vogël se ajo. Kjo njohje ka ndodhur një vit më parë kur klasa e saj ka qenë në një ekskursion në qytetin bregdetar.

Kjo njohje ka vazhduar nëpërmjet telefonit dhe deri në një moment dy të rinjtë kanë komunikuar, por kur i riu ka ardhur ta kërkojë në shtëpi vajzën dhe prindërit e saj nuk kanë pranuar, atëherë ka pushuar edhe komunikimi mes tyre.


Por këtë fakt nuk e ka pranuar lehtë 19-vjeçari që ka arritur t'i gjejë telefonin, edhe pse vajza e ndërronte shpesh numrin. Vetëm gjatë këtij viti, dëshmojnë nxënësit e klasës, ai ka ardhur dy herë. Ky lloj obsesioni është bërë edhe më i frikshëm, pasi vajza ishte fejuar me një emigrant në Itali.


Sipas dëshmisë së të rinjve, një ditë më parë Endriti kishte qenë në shkollë. Nga të dhënat që ata kanë dëshmuar ai kishte një qese në dorë dhe me një triko me kapele në kokë dhe ishte shumë i shpërqendruar. Sipas tyre, ai nuk dukej normal. Pasi nuk e ka gjetur vajzën një ditë më parë, sepse ajo kishte munguar, ka vendosur të rikthehet.


Nga dëshmitë e banorëve përreth, ka lënë qesen e veshjeve në një lokal atyre pranë shkollës dhe ka shkuar i armatosur në brendësi të shkollës. Nga përshkrimi që i bëjnë 20-vjeçares, ajo ishte e thjeshtë. Nuk ishte një nxënëse e mirë, pasi kishte humbur edhe një vit shkollën, por ishte e rregullt dhe e thjeshtë. Gerta vjen nga një familje e mesme. Babai i saj punonte roje ndërsa nënën e kishte të sëmurë.


Dhjetë gjimnazistë dëshmitarë në vrasjen e 20-vjeçares. Shumë prej tyre kërkojnë të ndërrojnë klasën pas shokut të pësuar

Dëshmitë e të rinjve: na terrorizoi me pistoletë, nuk e shpëtuam dot Gertën


K.M., një ndër djemtë e mbetur në klasë pak para fillimit të orës së dytë, tregon me imtësi skenën e tmerrshme që ka parë teksa ishte në një klasë me Gertën.


"Kur po prisnim të fillonte mësimi pasi kishte mbaruar ora e parë, ai hyn papritur, shtyn derën dhe nxjerr pistoletën. Kur nxori pistoletën i ra karikatori dhe iu hap pjesa e sipërme e pistoletës. Në këtë kohë ai e goditi Gertën me pjesën e armës dhe e rrëzoi poshtë duke e shkelmuar. Ne mbetëm si të ngrirë.


Nuk mund të bënim asgjë. Kurrë nuk e menduam se ai do ta vriste, por nga sytë dukej se nuk ishte normal. Në atë moment unë përfitova dhe dola nga dera për të shkuar për ndihmë në drejtori. Në moment kur u nisa drejt drejtorisë, dëgjuam një të shtënë dhe pas pak edhe dy të tjera. Më pas, ai me pistoletë në dorë u largua në drejtim të derës së shkollës ku edhe kishte kërcënuar me armë rojën që të hapte derën".


Në klasë si spektatorë të kësaj ngjarjeje të rëndë ishin rreth 10 gjimnazistë mes tyre vajza e djem. M.Gj., një prej vajzave që ka parë me sy skenën, ka treguar se askush nuk pati mundësinë për të ndërhyrë dhe shpëtuar Gertën. "Të gjithë mbetëm si të ngrirë. Nuk do ta besonim që ai do ta vriste. Edhe kur i thoshim Gertës, ajo nuk ia kishte frikën. Thoshte gjithmonë që nuk ka çfarë më bën".


Të tjerë që e kanë parë krimin e tmerrshëm me sy dhe që kanë qenë brenda në klasë janë E.S, S.K, K.D. Ata janë marrë në pyetje nga policia si dëshmitarë të ngjarjes. Atje kanë treguar se nuk do ta harronin vështrimin e fundit të vajzës që kërkonte ndihmë dhe ata nuk mundën të bëjnë asgjë për ta shpëtuar.


Të gjithë të rinjtë kanë rrezikuar të jenë pjesë e pasojave të këtij krimi, pasi një reagim i mundshëm i tyre mund edhe të sillte viktima të tjera nga ky krim i tmerrshëm. Viti 4 D dhe sidomos nxënësit që ishin në klasë në momentin e krimit kanë pësuar një tronditje të fortë.


Shumë prej tyre kanë përfunduar në gjendje shoku dhe nuk e kanë të lehtë ta marrin veten pas gjithë kësaj. Madje disa prej tyre kërkojnë që të ndërrojnë klasën, fillimisht pasi nuk janë në gjendje të vazhdojnë në të njëjtën skenë ku humbi jetën shoqja e tyre.


Kjo shkollë ishte pjesëmarrëse në spektaklin e përvitshëm "Maratona Rinore" dhe një natë më parë kishte prezantimin e saj. E gjithë shkolla ka mbajtur frymën pas krimit të tmerrshëm që i ka prekur të gjithë, dhe jo vetëm familjen që humbi vajzën e saj të vetme.


Policia: Autori i krimit ka përdorur drogë


Policia ka konfirmuar mundësinë se i riu para vrasjes mund të ketë përdorur drogë. Sipas të dhënave nga këqyrja e kufomës dhe kontrolli i veshjeve ka rezultuar se në një xhep të pantallonave i janë gjetur rreth 3 gramë të dyshuar lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, si dhe 8 copë fishekë pistolete.


Arrestohet roja për "shpërdorim detyre"

Pas ngjarjes ka ardhur edhe reagimi i parë i policisë duke arrestuar rojën e shkollës. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar në flagrancë shtetasi Naim Tahiraj, 48 vjeç, me banim në lagjen "Luigj Gurakuqi".


Tahiraj punonte si rojë pranë shkollës "Mahir Domi" ku ndodhi vrasja e maturantes. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ky shtetas ka shpërdoruar detyrën duke lejuar persona të huaj pa autorizim të futen në ambientet e shkollës. Roja do të përgjigjet për veprën penale "shpërdorim detyre".


Vlorë, të afërmit: U lidhën kur Endri punonte si kamerier


Pranë pallatit të 19-vjeçarit Endrit Llambro, një grup banorësh komentonin ngjarjet, ndërsa lajmi i ka habitur jo pak. "Vetëm dje u përshëndeta me Endrin, - tregon një nga gratë. - Ai ishte goxha djalë. Nuk dimë të jetë ngatërruar me gjëra të tjera. Shikonte punën, punonte në një lavazh pak kohë më parë, pasi shkollën e kishte lënë.


Ishte djalë i mirë dhe, edhe familja që jeton prej kohësh në këtë lagje, është familje e rregullt". Fqinjët tregojnë se në familje punonte i ati, ndërsa e ëma kishte probleme me shëndetin.


Në katin e tretë ku banon familja Llambro, shtëpia është mbushur plot me njerëz, ndërsa familjarët e 19-vjeçarit i kanë kursyer komentet për ngjarjen e rëndë. Një nga të afërmit ka pohuar më pas se 19-vjeçari kishte pak kohë që jetonte me një nga motrat në Tiranë, ndërsa nuk ka pranuar të japë më tepër detaje.


Mësohet se familja e të riut kishte dijeni për lidhjen e djalit me vajzën nga Elbasani, madje sipas tyre të njëjtën dijeni kishte edhe familja e vajzës.


Burime nga policia bëjnë me dije se Endriti e kishte njohur vajzën nga Elbasani rreth një vit më parë, kur ajo kishte ardhur në Vlorë dhe ai shërbente përkohësisht në një bar si kamerier. Më pas ata kishin qenë edhe të lidhur, por gjërat nuk kanë vijuar gjatë.


Dashuria me shikimin e parë është mbyllur tragjikisht, ndërkohë që policia po vijon të grumbullojë të dhëna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke pyetur edhe lidhur me gjetjen e armës nga 19-vjeçari.


Policia: Shkollat e qytetit patrullohen


Burime të drejtorisë së policisë bënë të ditur se në të gjitha shkollat e qytetit kryhen patrullime nga ana e efektivave blu.


Për rastin në fjalë thuhet se ka qenë i vështirë identifikimi i të riut për shkak të moshës së njëjtë me gjimnazistët dhe mungesën e një denoncimi nga të rinjtë për këtë rast. Shefi i komisariatit Sejfulla Metko deklaron se në fillimin e mësimit në mëngjes, gjatë pushimit të gjatë dhe në fund të mësimit shkollat patrullohen nëpërmjet inspektorëve të rendit dhe patrullave të policisë.


Mësohet se patrullimi nuk është i dislokuar në dyert e shkollave, por i qarkullueshëm për shkak se nuk ka efektiva të mjaftueshëm për t'i dislokuar në çdo shkollë. Masat për monitorimin e shkollave janë bërë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Elbasanit. Në çdo shkollë ka edhe roje të punësuar, të paguar nga nxënësit.


Kërcënime në faqen e klasës së 4D të shkollës "Mahir Domi"
Si të gjithë njerëzit tashmë, edhe Endrit Llambro kishte një faqe të vetën në "facebook", por që e mbante me një emër tjetër. E pikërisht duke përdorur këtë adresë, më datën 18 prill ai ka shkruar në faqen e hapur nga nxënës së klasës së 20-vjeçares.


Ndër fjalët fyese që shkruan aty, 19-vjeçari thekson "se e doja me gjithë zemër, por më lëndoi", ndërsa vijon të identifikohet me personin që kishte vajtur edhe më parë në klasën e Gertës dhe e kishte kërkuar atë. Këto fjalë janë shkruar më datën 18 prill, vetëm 3 javë para ngjarjes fatale. Teksa shkruan kundër nxënëses së vitit të katërt, i riu shprehet: Me respekt, Endri Vlorë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›