E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballsh, zbulohet varri me 80 viktima



BALLSH/ MAJLINDA RAMA

Zbulohet varr masiv në Ballsh. Eshtrat e rreth 80 të ekzekutuarve apo të burgosurve që kanë vdekur në burgje në kohën e diktaturës janë nxjerrë mbi tokë në afërsi të fshatit Metoh. Dyshohet se pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë të dënuar politikë të burgut të Ballshit, trupat e të cilëve, sipas banorëve të moshuar të zonës, pasi vdisnin në qeli, nuk u ktheheshin familjarëve, por varroseshin apo thjesht hidheshin në një gropë masive. Ndërkohë që mendohet se një pjesë tjetër e eshtrave t'u përkasin të ekzekutuarve e bashkë me ta ka edhe viktima të burgjeve të tjera. Të paktën këto janë dyshimet e para të hedhura mbi këtë çështje, ndërsa ekspertët kanë nisur punën për zbardhjen e saj. Në të vërtetë mësohet se kanë qenë të afërm të ish-të burgosurve politikë që kanë bërë kërkime të pavarura, me qëllim që të gjenin të afërmit e tyre. Gjatë kërkimeve, ata kanë mbërritur në kodrën e fshatit Metoh të Ballshit, duke e zbuluar varrin masiv, rreth 500 metër larg varrezave publike të zonës. Lajmi konfirmohet edhe nga shefi i Komisariatit të policisë Mallakastër, Hasan Hasanaj, i cili pohon se është detyra e specialistëve që të saktësojnë numrin dhe të dhënat e viktimave. Në një intervistë telefonike, shefi i komisariatit të Mallakastrës, i cili ka qenë në vendngjarje së bashku me ekspertë të Ministrisë së Brendshme, pohon se zbulimi është bërë këtë muaj. "Rreth 3 javë më parë, një ekip nga Ministria e Brendshme, me skica të vendndodhjes dhe me harta toponimike në duar, ka ardhur në Komisariatin e Policisë së Ballshit dhe me ndihmën tonë ka shkuar drejt zonës ku u gjet varri masiv. Në fakt, qysh me ndërtimin e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, rreth viteve 1970-1975 ishte përfolur se shumë të dënuar mbeteshin aty dhe nuk ktheheshin më në familje. Në shkuam në vendngjarje, sipas edhe dëshmive të 2-3 ish-punëtorëve të uzinës nga ky fshat, tashmë pleq, të cilët ishin në dijeni për ngjarjet. Nga këqyrja e parë dyshohet për rreth 80 viktima. Por janë specialistët që do të thonë fjalën e tyre", pohoi Hasanaj. Ndërkohë burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se personat mund të identifikohen, pasi me vete mbanin disa shishe qelqi, tek të cilat mendohet se mund të jenë futur të shkruara letra me emrat e tyre. Gjithsesi kjo mbetet për t'u verifikuar. Ajo që dihet është se në këtë zonë ka funksionuar burgu me numër 309, prej të cilit dyshohet se janë pjesa më e madhe e viktimave.

Ekspertë nga Tirana për eshtrat
Ndonëse janë zbuluar në fillim të këtij muaji, eshtrat e zbuluara kanë mbetur në të njëjtin vend, në pritje që specialistët të bëjnë veprimet e nevojshme e të sakta. Burime nga vendngjarja pohojnë se familjarët kanë pasur të dhëna mbi zonën ku mund të ishin groposur njerëzit e tyre gjatë kohës së diktaturës. Për shkak të numrit të konsiderueshëm, skeletet pritet të merren pas përcaktimeve të nevojshme në vendngjarje.

Në Dajt u zbuluan varret e 18 viktimave
Dy muaj më parë, në malin e Dajtit u zbulua një varr masiv, ku u gjetën eshtrat e 18 personave të ekzekutuar gjatë kohës së diktaturës. Skeletet e viktimave, të vrarë rreth viteve '70-'75, u zbuluan rastësisht, pas kërkimeve që po bënte një person për të gjetur trupin e të atit. Nga gërmimet në zonën e dyshuar, në një luginë rrëzë malit të Dajtit, në shkurt të këtij viti u nxorën eshtrat e 18 vetëve. Sipas të dhënave të ekspertëve, eshtrat u gjetën të groposura në një sipërfaqe prej mbi 100 metër katrorë. Viktimat dyshohet të jenë ekzekutuar në kohë të ndryshme nga njëri-tjetri, duke u groposur në varre të përbashkët. Pas gjetjes së tyre, eshtrat u dërguan për ekspertizë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Megjithë dyshimet se kujt i përkasin ato, sipas ekspertëve, duhet një kohë e konsiderueshme deri në përcaktimin e saktë të identiteteve të tyre dhe më pas marrjen nga familjarët që i kërkojnë trupat prej dekadash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›