Obama paralajmëron në “Wall Street” recesion të ri
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka paralajmëruar një krizë tjetër të fortë financiare, që mund t’i çojë Shtetet e Bashkuara në buzë të recesionit, nëse sistemi financiar i “Wall Street”-it nuk i pranon reformat. Deklarata e Obamës të enjten iu drejtuan “Wall Street”-it, që të heqë dorë nga kundërshtimi i reformave financiare, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara ishin në rrezik të përsëritjes së krizës më të keqe financiare, nëse ligjvënësit nuk vepronin në kohë. Obama, audienca e të cilit në kolegjin “Cooper Union” në Manhatan, përfshinte liderë të industrisë, ka kërkuar nga “Wall Street” “të bashkoheni me ne, dhe jo të na luftoni në këtë përpjekje. është esenciale që ne të mësojmë leksionet e kësaj krize, në mënyrë që të mos fajësojmë veten për përsëritjen e saj”, tha Obama në fjalimin e tij. “Dhe mos bëni gabime, sepse është pikërisht ajo që do të ndodhë, nëse ne lejojmë që ky moment të kalojë, dhe kjo lloj e ardhmeje nuk është e pranueshme për mua dhe për popullin amerikan”, shtoi. Presidenti Obama kritikoi “Wall Street”-in për nismat e rrezikshme që i çuan Shtetet e Bashkuara në krizën financiare. Për recesionin që kaloi vendi superfuqi, Obama deklaroi se ai ishte pasojë e një dështimi “të përgjegjësisë” si nga Uashingtoni, ashtu edhe “Wall Street”. Reforma e Presidentit Obama kërkon një rregullore më të fortë dhe më të kontrolluar për bankat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Ai i hodhi poshtë akuzat e republikanëve se me këtë reformë po krijon kushtet për pafundësi taksash. Fjalimi i Obamës u bë ndërkohë që Senati amerikan po afrohet më shumë drejt miratimit të draftit, i cili pas përfundimit të reformës shëndetësore, është kthyer në prioritetin e Obamës. “Unë besoj në fuqinë e tregut të lirë. Unë besoj në një sektor të fortë financiar, i cili i ndihmon njerëzit të rrisin kapitalin dhe të marrin hua, të investojnë kursimet e tyre. Por një treg i lirë nuk duhet të nënkuptojë një licencë të lirë për të marrë çfarëdo mundesh të marrësh, me çfarëdolloj mënyre”, tha dje Obama gjatë fjalimit. “Kjo ka ndodhur shumë shpesh gjatë viteve që na çuan drejt krizës, - shtoi ai. - Disa në ‘Wall Street’ kanë harruar se pas çdo dollari të tregtuar apo manipuluar, ka një familje që përpiqet të blejë një shtëpi, të paguajë për edukimin e fëmijëve, të hapë një biznes, të kursejë për pension”, shtoi Presidenti amerikan.