Liverpuli humb, nuk ka gola në Gjermani
Atletiko Madrid fiton ndaj Liverpulit ndeshjen e parë të Europa League, ndërsa mbyllet në barazim pa gola sfida në Gjermani mes Hamburgut dhe Fulhamit. Një gol i uruguajanit Forlan, i shënuar që në dhjetë minutat e para të lojës i ka dhënë fitoren spanjollëve të Atletiko Madridit ndaj anglezëve të Liverpulit në takimin e parë të gjysmëfinaleve të Europa League. Forlan përfitoi nga një gabim trashanik i mbrojtes liverpulase për të dërguar topin në rrjetë. Pas golit, Liverpuli i Rafa Benitezit u mundua të reagonte por pa forcën e duhur goditëse. As Zherrard dhe as i riu N'Gog nuk mundën që të thyenin mbrojtjen vendase. Rastin më të mirë e ka pasur në pjesën e parë holandezi Kajt, por ai nuk shënjestroi si duhet portën e Atletikos. Në pjesën e dytë, Benitez aktivizoi edhe Babel e El Zhar por edhe këta të fundit nuk mundën që të ndryshonin rezultatin e takimit. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Liverpul, ku do të vendoset edhe finalisti i Europa League. Në ndeshjen tjetër në Gjermani mes Hamburgut dhe Fulhamit, veç rasteve të shumta sidomos nga vendaësit nuk u pa asnjë gol. Skuadra e Roj Hudgson u mundua më së shumti që të mos pësonte gol, me qëllim që kualifikimin për në finale ta linte për 90-minutëshin tjetër. Ndërsa vendaësit krijuan një volum të madh loje por ishin të pasaktë para portës së portierit Shvarcer. As Van Nistelroi dhe as Demel s'mundën në dy raste të pastra të shënonin për gjermanët. Duke iu referuar rezultateve të ndeshjeve të para, parashikohet një finale e tëra angleze, por që do të luhet në stadiumin "Arena" të Hamburgut.