Banorët e Obotit bllokojnë Muriqanin
SHKODER - Banorët e fshatit Obot protestuan dje me qëllim sensibilizimin e autoriteteve vendore dhe qendrore për nivelin e ulët të dëmshpërblimit nga përmbytja e parë, si dhe dëmet e mëdha të shkaktuar nga hera e fundit e vërshimit të ujërave. Protesta e tyre vjen menjëherë pasi ka filluar shpërndarja e parave për familjet e përmbytura, në janar, në komunën Ana e Malit. Sipas banorëve, dëmet në përmbytjet e këtij muaji janë shumë herë më të mëdha se ato të janarit e shkurtit. Kjo pasi të mbjellat që kishin lulëzuar këtë muaj, u shkatërruan plotësisht nga uji që vërshoi në tokat bujqësore duke arritur deri në gjysmë metri. Për këtë shkak, banorët u mblodhën dje paradreke në qendër të komunës. Më pas, në shenjë proteste ata bllokuan për rreth 30 minuta aksin Shkodër-Muriqan, duke shkaktuar një trafik të rënduar pasi ky aks nacional është e vetmja pikë lidhëse mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Banorët kërkuan rivlerësim të dytë të dëmeve të shkaktuara pasi, sipas tyre, llogaritja e kryer nga grupet e vlerësimit nuk është aq sa dëme janë shkaktuar realisht në Obot. Protesta u krye edhe para zyrave të Albpostës, ku dhe ka nisur shpërndarja e dëmshpërblimit të përmbytjes së parë. Shtabi i emergjencave në Shkodër njoftoi se gjatë ditës së enjte ka pasur ulje të sipërfaqes së përmbytur në Shkodër me 200 ha, krahasuar me një ditë më parë. Më e prekura në këto përmbytje rezulton të jetë komuna Ana e Malit me 400 ha, në Dajç janë 150 ha tokë, në Bushat dhe në Velipojë janë rreth 600 ha. Ujërat e grumbulluara kanë nisur ndërkaq të largohen drejt lumit të Bunës, duke sjellë tërheqjen e ujërave nga lagjet periferike të Shkodrës, si në Bërdicë, në Dajç, në komunën Ana e Malit. r.d