E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballshi në protestë: Në 20 vjet asnjë investim për ne



BALLSH/ MAJLINDA RAMA

“Na ndihmoni të mos vdesim!”. Ka qenë kjo thirrja e qytetarëve të Ballshit ditën e djeshme, të cilët kanë dalë në një protestë masive në kërkim të një infrastrukture më të mirë dhe të një ambienti më të pastër.
Banorët tregojnë se prej vitesh kanë marrë vetëm premtime dhe deri më sot ende nuk u është mundësuar qoftë edhe një metër rrugë e shtruar, ndërsa ajri i ndotur sipas tyre, çdo ditë e më shumë po i sëmur, duke bërë që mesatarja e jetës së një personi të shkojë në 60 vjeç. “Kemi 20 vjet që nuk e kemi pasur vëmendjen e pushtetit vendor. Nuk kanë hedhur asnjë lek investim në lagjet e Ballshit. Vijnë kryetarët me radhë dhe nuk na bëjnë asgjë. Kjo po na kthehet në jetë ferri. Na gënjejnë gjithmonë. Na mashtrojnë duke na premtuar do të na sigurojnë rrugë, do të marrin masa për përmirësimin e ajrit, por asgjë nuk është bërë. Të vijë sot kryetari i bashkisë dhe të na japë sqarime se ku shkojnë lekët”, shprehet Leonard Bahja, një prej protestuesve. Ndërkohë të tjerë kanë akuzuar shtetin se keqpërdor fondet e marra. “Kush i kontrollon fondet? është investuar në riparimin e rrugëve në Mallakastër që janë bërë të reja dhe që janë prishur prapë dhe nuk është janë hedhur lekë në një rrugë që duhet bërë nga e para se është tejet e amortizuar. Ku venë këto para? Apo këto rrugë kanë kosto dhe nuk ka vend për të vjedhur?”, akuzojnë banorët. Sipas tyre, me mjedisin që është krijuar në qytetin e naftëtarëve, ata po detyrohen që të lënë banesat e të largohen fare nga Ballshi. “Na mbyti nafta, na mbyti smogu, na mbytën mbeturinat dhe askush nuk po na ndihmon. Na ndihmoni se po vdesim nga pak çdo ditë”, thotë Latif Mara. Ndërkohë, edhe sistemi i kanalizimeve është një tjetër problem që çdo ditë e më shumë rëndon shëndetin e tyre. Banorët mësynë ambientet e jashtme të Bashkisë në Ballsh përreth 1 orë dhe më pas protesta u ndal në rrugën qendrore të qytetit, në aksin Ballsh–Tepelenë, ku bllokuan përreth 30 minuta qarkullimin e automjeteve. Banorët tregojnë se do të vijojnë protestat, pasi asnjëherë nuk është dëgjuar zëri i tyre. Ata kanë kërkuar një takim me kreun e bashkisë Neim Bega. Por, kjo nuk është mundësuar, nisur dhe fakti se dje ishte zyrtarisht ditë pushimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›