E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bebet “VIP” të Vera Zhegut



Sonila Merolli

Të qarat e foshnjeve të përshëndesin qysh sa hyn në katin e parë. Kush mendon se të gjitha të qarat janë njëlloj, gabohet. Ajo ka mësuar t’i njohë zërat. Mund të dallojë “këngën” e bebes me numër 33, nga ajo e atij për karshi, me numër 12. E quajnë Vera Zhegu dhe prej 20 vjetësh i jep mirëseardhjen bebeve, kur vinë në këtë botë. Duhet ngulm për ta shkëputur nga të porsalindurit, pasi kryeinfermierja e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, është kryekëput e zënë me kontrollet e dyfishta ndaj mamave dhe të bebeve, që vijojnë me “muzikën në kor”. Megjithatë, “sebepi” për të folur rreth tyre, e tërheq për të nisur rrëfimin paralel mbi profesionin dhe jetën private. Profesioni i mamisë, do t’i ndryshonte jetën, edhe në sferën personale. Pikërisht në godinën e maternitetit, njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, teksa nisej për një urgjencë në ambulancën e spitalit. “Ai ishte shofer i ambulancës, dhe nisëm të frekuentoheshim si shokë, për një kohë të gjatë, pa e ditur se më vonë do të lindte dashuria mes nesh”, kujton 40-vjeçarja.
Prej afro 20 vjetësh ju i jepni e para mirseardhjen bebeve, përse zgjodhët profesionin e mamisë?
Im atë donte që një nga vajzat e tij ta kishte në fushën e mjekësisë, për çdo nevojë që do t’i dilte. Për t’ia plotësuar dëshirën, si vajza e fundit që isha, zgjodha shkollën dy- vjeçare për mami.
Si i kujtoni momentet e para, kur u gjendet në një sallë lindjeje?
Edhe pse e kisha parapërgatitur veten nga librat e anatomisë, kur më thanë të futem në sallë, nuk mundesha. Arrita vetëm të fus kokën te cepi i derës. Megjithatë, nuk më ka rënë as të fiktë, as lot nuk më dolën, por m’u desh kohë për t’u ambientuar në sallën e lindjes. Më pas nisi kurioziteti mbi rastet dhe me kalimin e kohës, ajo që të intereson nuk është më frika, apo sikleti nga një lindjen natyrale, apo operacion, por sesi mund ta përballosh e vetme një situatë të tillë.
E mbani mend beben e parë që keni pritur? Si e përballuat situatën, kishit emocione?
Isha praktikante, kur prita beben e parë bashkë me një mami të vjetër. Isha në rolin e ndihmëses, por e mbaj mend si tani. “Pritja zyrtare” ishte një vajzë, mamaja e së cilës u tregua e gatshme të më besonte. Kanë qenë momente ankthi, por edhe emocionale. Isha e stresuar si do të shkonte lindja, por koleget e mia me eksperiencë, më qetësuan dhe më dhanë kurajë. Kur erdhi momenti që bebja doli në dritë, mu drodhën duart, por më pas isha në qiellin e shtatë, që ia kisha dalë mbanë. Edhe pse ishte thjesht detyra ime, më dukej sikur kisha kryer një mision të madh.
Cilat janë çastet më të vështira në profesionin tuaj?
Nuk ka gjë më të vështirë për një femër sesa kur humb beben e saj. Pasi u bëra vetë nënë, e përjetoja shumë keq humbjen e bebeve. Por rastet më të hidhura, kur përlotesha për një kohë të gjatë, kanë qenë foshnjat e braktisura nga nëna, të cilat nuk jepnin as të dhëna të sakta. Kjo ndodhte në fillimet e viteve 1990. Nuk dua t’i paragjykoj, pasi secila prej tyre ka pasur dramën vetjake, por kur ndodhte që ndonjë syresh ndërronte mendjen, nuk kishte kënaqësi më të madhe.
Ju keni pritur shumë bebe, por ç’kujtoni nga momenti i ndërrimit të roleve nga mami në mama?
Ka qenë 29 marsi i vitit ‘97, kur në mes trazirave erdhi në jetë vajza ime. Linda me operacion, për shkak të disa komplikacioneve, por e mora veten menjëherë. Ndjesia më e papërshkrueshme ishte kur më doli anestezia, kur pashë te faqja beben time. Aty u përlota. Megjithatë, momenti i pashlyeshëm, është ai kur e ushqen me gji, ajo lidhja e pandashme, të duket sikur i jep ngrohtësi.
Mes fëmijëve të të afërmve tuaj që keni pritur, a ka ndonjë që ju ka bërë të vuani në sallën e lindjes?
Ka qenë djali i motrës, të cilin e kam pritur 16 vite të shkuara. Atë e kam edhe pikë të dobët. Kam pritur edhe fëmijë të tjerë, por rasti i dytë brenda familjes, që më ka bërë të vuaj akoma më shumë, është vajza e mbesës sime, vajzës së motrës. Një çamarroke 4 vjeç e gjysmë, që më ka munduar dhe më ka emocionuar si rrallëherë.
A mbani mend cila ka qenë numri më i madh i bebeve që keni pritur gjatë një nate?
Rekordi i lindjeve që kam asistuar ka qenë 17 lindje për një natë. Duhet theksuar se ky numër i afrohet dhe përsëritet shpesh herë. Mund të ndodhë 10 herë në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›