E Diel, 1 Nëntor 2026

Balotazhi në Kosovë, AAK: Zgjedhjet me defekte të shumta

Kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, e ka cilësuar proces të rëndë dhe me defekte të shumta të demokracisë, raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Haradinaj tha se në këtë proces, partitë politike në shumicën e rasteve janë detyruar të mbrojnë votën nga pushteti dhe nga instrumentet, të cilat, siç tha ai, partia në pushtet i ka përdorur për të shtuar numrin e votave ose për të prishur votën e të tjerëve.
"Them se ky është dëmi më i madh që mund t'i bëhet një vendi kur partitë duhet të kërkojnë ndihmën e huliganëve për të mbrojtur demokracinë nga shteti. Kjo pasi, Kosova e qeverisur nga Thaçi e ka qeverisur në atë mënyrë që më me rëndësi janë huliganët që ruajnë objektet e zgjedhjeve, se sa vetë procesi. Kjo është e vërteta për procesin zgjedhor", tha Haradinaj. "Ne, -vijoi ai, jemi të vetëdijshëm se nuk mundemi të ndalojmë Kosovën. Duhet të ecim përpara, por shprehim një keqardhje të madhe për këtë situatë në të cilën ndodhet vendi ynë, për shkak të pushtetit të sotëm. Është një dëm i madh për demokracinë", ka thënë Haradinaj. Sipas Haradinajt, situatat e krijuara të dielën nëpër komuna të ndryshme, kanë qenë të rrezikshme për qytetarët. Ai tha se me këtë sjellje politike të pushtetit aktual nuk shkohet drejt Bashkimit Europian. Haradinaj zhvilloi një takim me të gjithë këshilltarët e Kuvendeve Komunale, ku qeveris dhe përfaqësohet AAK-ja. Sipas tij, vitin e ardhshëm janë të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që të ndryshohet trendi i qeverisjes. Ndërkohë që edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, me kryetar Nexhat Dacin, konsideron se në Kosovë ka pasur një varg keqpërdorimesh dhe manipulime të votave të qytetarëve të vendit. Sipas LDD-së, strukturat e saj i kanë dëshmuar apo argumentuar këto manipulime tek organet kompetente, si dhe tek monitoruesit e ambasadës amerikane në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›