E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENEMO:Kosova, përmirësim në raundin e dytë

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, ENEMO ka konstatuar përmirësime në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan se në raundin e dytë të zgjedhjeve është përmirësuar procedura e votimit dhe është vënë re një efikasitet më i madh në numërimin e votave.
Por shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, Darko Aleksov, gjatë prezentimit të raportit paraprak të vëzhguesve, tha se ishin vërejtur edhe një numër parregullsish.
"Prania e gjerë e votimit familjar që është vrojtuar, jo vetëm që është kundër ligjit, por paraqet një shkelje serioze të parimit të rëndësishëm të fshehtësisë së votimit", deklaroi Aleksov.
Sipas tij, shumë deklarata të mashtrimit dhe manipulimit nga shumica e partive, janë bërë shpesh pa konsideratë ndaj mekanizmave ligjorë dhe kjo ka krijuar një atmosferë të tensionuar, në të cilën, sipas rrjetit të vëzhguesve, ENEMO, legjitimiteti i rezultateve mund të sfidohet. Vëzhguesit e huaj tërheqin vërejtje se mbështetja e vazhdueshme e autoriteteve kosovare në ndihmën ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve, ka ngritur shqetësime rreth gatishmërisë për ndërtimin e kapaciteteve brenda institucioneve përkatëse. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të dielën në mbrëmje rezultatet paraprake të raundit të dytë të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Sipas këtij rezultati, PDK ka fituar në dhjetë komuna, LDK në pesë, ndërsa AAK në tri komuna. Pakica serbe ka fituar në vetëm një komunë, në atë të Shtërpces, ndërkohë që në Hanin e Elezit ka fituar një kandidat i pavarur. Rezultati më i paqartë në tërë këtë proces ka qenë rezultati për Prizrenin, ku sipas KQZ-së, të dy kandidatët kanë një përqindje të njëjtë të votave dhe se fituesi do të dihet pas numërimit të rreth 1600 votave me kusht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›