E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopenhagen/ Pezullohen negociatat në samitin e OKB-së për klimën

Negociatat në samitin e OKB-së për klimën janë pezulluar, pasi grupi i vendeve afrikane ndërpreu bashkëpunimin.
Delegacionet afrikane u indinjuan nga ato, që ata i konsiderojnë si hapa të qeverisë organizatore daneze për të anashkaluar bisedimet për shkurtime të tjera të emetimeve në bazë të Protokollit aktual të Kiotos. Teksa njoftimi për tërheqjen e vendeve afrikane u përhap, rreth 200 aktivistë reaguan me parullën: "Jemi me Afrikën, objektivat e Kiotos tani". Është e paqartë se si do të procedohet tani dhe pse ka gjasa që të zhvillohen bisedime joformale. Blloqet që përfaqësojnë vendet e varfëra më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike kanë këmbëngulur se vendet e pasura duhet të angazhohen për pakësim të emetimeve përtej skadimit të Protokollit të Kiotos në vitin 2012. Por vendet e Bashkimit Europian dhe shtetet e tjera të botës së zhvilluar në përgjithësi, kanë promovuar idenë e një marrëveshjeje të re. Vendet në zhvillim druhen se mos humbasin shumë nga arritjet që shënuan me miratimin e protokollit në vitin 1997. Më herët gjatë këtij takimi, i quajtur zyrtarisht si Konferenca e Palëve, 15 vende në zhvillim i kanë akzuar organizatorët danezë për injorim të shqetësimeve të tyre. Javën e shkuar, ishull-shteti në oqeanin Paqësor, Tuvalu çoi në pezullimin e punimeve pasi kërmbënguli që të debatoheshin të gjitha propozimet për të ndryshuar Konventën e OKB-së për Klimën dhe Protokollin e Kiotos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›